Nis transformimi i tre blloqeve të banimit në Rrogozhinë, Balla: Vijojmë investimet edhe në zona të tjera

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Nis një tjetër investim i rëndësishëm për transformimin urban të Rrogozhinës. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh dhe drejtues politik për Qarkun e Tiranës, inspektoi nisjen e punimeve në blloqet “12 Shtatori”, “Qendër” dhe “2 Çezmat”, një ndërhyrje që synon përmirësimin e plotë të infrastrukturës së këtyre zonave.
Investimi i Bashkisë Rrogozhinë përfshin rikonstruksionin e rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e trotuareve, si dhe vendosjen e ndriçimit të ri publik.
Gjatë inspektimit, Balla u shpreh se zhvillimi urban i Rrogozhinës do të vijojë edhe me projekte të tjera, përfshirë ndërhyrjet e parashikuara në kuadër të programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Sipas tij, në fokus do të jetë përmbyllja e ndërhyrjeve në lagjen mbi Stacionin e Trenit, si dhe në zonën e Rrogozhinës fshat.
Një projekt me rëndësi strategjike për qytetin është edhe hekurudha dhe stacioni i ri i trenit, i cili do të ndërtohet sipas standardeve europiane. Ky investim pritet të rrisë lidhjen e Rrogozhinës me pjesën tjetër të vendit dhe të forcojë rolin e qytetit si një nyje e rëndësishme e transportit.
Me ndërhyrjet në infrastrukturën urbane dhe projektet e reja të transportit, Rrogozhina synon një zhvillim më të qëndrueshëm dhe një standard më të lartë shërbimesh për qytetarët.
/m.m/r.e/a.f/