E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis votimi me postë për “7 Qershorin”/ Të regjistruar mbi 105 mijë shtetas që jetojnë jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka filluar periudha e votimit përmes postës për qytetarët e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit, ndërsa procesi do të zgjasë deri më 6 qershor 2026.
Përmes një njoftimi në Facebook, KQZ ka sqaruar hapat që duhen ndjekur nga votuesit, ku pritet t’u shpërndahen rreth 105 mijë pako. Sipas institucionit të administrimit të zgjedhjeve, çdo pako është individuale dhe secila prej tyre përmban udhëzuesin për procedurën e votimit, fletën e votimit; zarfin e fshehtësisë dhe zarfin me të cilin do të kthehet fleta e votimit.
Pakoja do të dërgohet në adresën e banimit të votuesit. Pas marrjes në dorëzim, qytetarët duhet të plotësojnë fletëvotimin, ta vendosin në zarfin e fshehtësisë dhe më pas bashkë me dëftesën e regjistrimit ta fusin në zarfin kthyes.
KQZ theksoi se votuesit duhet të shënojnë adresën e kutisë postare përkatëse dhe ta dërgojnë zarfin përmes postës, duke theksuar se ai duhet të arrijë në kutinë postare të vendit përkatës jo më larg se data 6 qershor. Për procesin jashtë Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vënë në funksion kutitë postare në 22 shtete dhe gjithashtu është funksionale edhe kutia e përhershme postare e saj në Kosovë.
/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›