E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Hetim të pavarur Carla del Pontes

TIRANE- Pas qeverise, edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë kërkon që institucionet ndërkombëtare përkatëse të kryejnë një hetim të pavarur ndaj ish-Prokurores Carla del Ponte në lidhje me pretendimet e ngritura për  rolin e saj në hetimin ndaj Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ne nje deklarate per mediat, kreu i shtetit, ka përshëndetur edhe një herë vendimin objektiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që shkarkoi ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij nga të gjitha akuzat, pas një procesi të drejtë dhe transparent.

“Zoti Haradinaj u përball dy herë me akuzat e ngritura nga ish-Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës znj. Carla del Ponte. Por ajo që po përbën lajmin më shokues këto ditë janë deklaratat e fundit të prokurorëve të njohur të kësaj Gjykate, se akuza e ngritur ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij nga Prokurorja Carla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash. Madje ajo nuk ka marrë parasysh këshillat e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompiuterikë dhe shkarkimin e tyre nga çështja”- thuhet ne deklarate.

Sipas Nishanit, dalja në pah e së vërtetës në lidhje me këtë çështje i shërben drejtësisë ndërkombëtare në përgjithësi dhe besueshmërisë së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›