E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani-Kodheli vizitojnë helikoptermbajtësen britanike

VLORE-Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Forcave të Armatosura , Bujar Nishani ka vizutuar sot helikoptermbajtësen britanike HSM Ilustrios të vendosur në hapësirën detare të Gjirit të Vlorës. 

Presidenti Nishani në vizitën e tij ka qenë i shoqëruar nga ministrja e ardhshme e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nga Ministri në ikje Arben Imami , nga Ministri i Forcave të sigurisë së Kosovës, Agim Ceku si edhe nga zyrtarë të Forcave tona të armatosura. 

Gjatë vizitës në helikoptermbajtësen britanike, Presidenti Nishani ka takuar drejtues të trupave ushtarake britanike që po zhvillojnë stërvitjen e përbashkët “Albanian Lion 2013”. 

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në mjediset e helikoptermbajtëses britanike HSM Ilustrios të vendosur në hapësirën detare të Gjirit të Vlorës, Nishani theksoi se kjo është stërvitja më e madhe që forcat britanike kanë zhvilluar gjatë viteve të fundit në rajonin e Mesdheut". Sipas tij, kjo stërvitje është një tregues i drejtëpërdrejtë i solidaritetit që ekziston mes dy vendeve tona dhe forcave ushtarake respektive.

Presidenti Nishani u shpreh se, "mes Shqipërisë dhe Britanisë ka një histori të gjatë bashkëpunimi që spikat me Luftën e Dytë Botërore dhe vijon në kuadrin e NATO-s", ku sipas tij ne ndajmë vlera të përbashkëta.

Po sot, pritet që të bëhet një prezantim edhe për mediat në lidhje me drejtimet dhe synimet e kësaj stërvitjeje të përbashkët, pjesë e kuadrit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, që shtrihet në periudhën kohore 11gusht-13 shtator 2013. 

Në stërvitje marrin pjesë 3000 trupa britanike, komando dhe forca detare, si edhe një efektiv prej 35 vetash nga Forcat e Armatosura Holandeze, të cilat operojnë në këtë stërvitje së bashku me trupat britanike.

Stërvitja “Albanian Lion 2013”, shtrihet në një territor të gjerë, nga rajoni i Bizës, në Pashaliman, Kuçovë, Karaburun dhe Sazan. Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të angazhohen me trupa dhe mjete të Forcave Detare, si dhe me efektivë të Forcave Tokësore.

(m.s/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›