E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani shtron iftar: Myslimaniargjërues përbuz materializmin

TIRANË - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shtruar sot një iftar për besimtarët myslimanë me rastin e Natës së Kadrit.

"Ju përbuzni materialitetin dhe ngrini lart idealizmin. Përmes kësaj sfide që i bëni materialitetit, përmes vuajtjes dhe sakrificës, ju bëni atë që më tepër se gjithçka i duhet njerëzimit; dëshmoni dhe forconi besimin tek Zoti", nisi fjalën e tij Nishani. "Ky rit i këshillueshëm, por jo i detyrueshëm ky rit i vuajtjes individuale gjatë ditës dhe i të gëzuarit bashkarisht në mbrëmje si sot në këtë iftar është pa dyshim një rit madhështor shumë dimensional, nga më të bukurit, më kuptimplotët dhe më të vlefshmit për secilin njeri.  Me anë të këtij riti të shenjtë myslimani argjerues rievokon vlerat morale përmes reflektimit mbi krijuesin, botën, njerëzit, marrëdhëniet e tyre, problematikat, si dhe për aq sa është e mundur për zbutjen e atyre problematikave, humanizimin e tyre", u shpreh Nishani.
 
Ai ka sjellë në vëmendjen e atyre besimtarëve, që kanë sepse janë të pasur dhe munden se janë të fuqishëm faktin e atyre që nuk kanë se janë të varfër dhe nuk munden se janë të dobët, kujtesën se lakmia e pafundme është ves i dëmshëm, tundim djallëzor që në fund të fundit dëmton njësoj, sa vetë lakmitarin e panginjur dhe gjithë të tjerët. Ngjalljes së shpresës tek të varfërit, duke u kujtuar se nuk janë harruar, nuk janë vetëm, se për ta dikush mendon, i mëshiron, me ta diçka ndan. Ndërgjegjësimi të besimtarit mysliman se pa kontributin e gjithësecilit për paqen e të gjithëve, drejtësinë dhe mirëqenien e të gjithëve njeriu nuk është njeri dhe jeta nuk është jetë, por ferr.
 
"Të qenit i uritur materialisht dhe i ngopur shpirtërisht është një e mirë e madhe, e kundërta e keqe e madhe. Uria e vullnetshme dhe e shenjtë e Ramazanit, kjo uri e bukur që gjaztë kësaj iftari do ta largojmë është larg urisë së imponuar të dhjetëra viteve të shkuara. Është entuziasmues fakti se brenda urisë së imponuar kishte jo pak që mbanin ramazan. Është madhështore dhe rrënqethëse të kujtosh sot atë heroizëm të asaj kohe. Ishte ky besim i pafund te Zoti, kjo bindje e palëkundur tek të mirat e sakrificës dhe durimit që e mbajtën gjallë besimin dhe bënë të mundur që Zoti të triumfojë mbi Djallin, të triumfojë e mira mbi të keqen, e bukura mbi të shëmtuarën, pasurimi mbi fukarallëkun, kjo kohë ndaj asaj kohe. Erdhi kjo ditë që lirshëm të mbajmë Ramazan, të shtrojmë iftar dhe të zbatojmë të gjitha ritet. Duke dëshmuar përkushtimin ndaj Zotit me privacion dhe sakrificë ju dëshmoni seriozitetin e virtytit ndaj vesit, punës ndaj parazitimit etj", theksoi Nishani. 
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›