E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nisin punimet për nivelimin e sheshit për Auto Moto Park në Elbasan, një qendër e re multifunksionale për 6 bashki

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka njoftuar fillimin e punimeve për Auto Moto Park Elbasan. Kjo qendër e re, e dyta e këtij lloji në Shqipëri pas asaj në Fushë-Prezë, ka nisur me fazën themelore të nivelimit të sheshit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në infrastrukturën e transportit rrugor.

Ky projekt strategjik synon të transformojë shërbimet automobilistike, duke sjellë standarde të larta evropiane. Qendra do t’u shërbejë 105,000 drejtuesve dhe 70,000 mjeteve në gjashtë bashkitë e qarkut Elbasan, duke ofruar mbi 245,000 shërbime në vit.

Çfarë përfshin projekti?

Cirkuitin e parë shqiptar sipas standardeve ndërkombëtare të FIA, FIM dhe CIK.

Muzeun Retro dhe zyrat e DRSHTRR Elbasan.

Shërbime të kontrollit fizik dhe teknik të mjeteve.

Infrastrukturë moderne për shërbime më të shpejta dhe më cilësore.

Në të njëjtën kohë, Bashkia Elbasan dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punojnë me ritme të shpejta për përmirësimin e infrastrukturës përreth.

Shumë shpejt pritet të nisë ndërtimi i rrugës “Gjergj Arianiti,” e cila do të lehtësojë ndjeshëm trafikun duke lidhur lagjen “Emin Matraxhiu” me Menglin, Korridorin VIII dhe urën e Byshekut. Kjo rrugë e re do të ketë trotuare, ndriçim dhe korsi për biçikleta, duke u shndërruar në një shëtitore tërheqëse përgjatë lumit Shkumbin.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›