Nisin reshjet e dëborës, probleme në rrugët e Veri-lindjes

Foto ilustruese
Ulja e menjëhershme e temperaturave ka zbardhur nga bora pjesën më të madhe të zonave malore të vendit. Në disa akse rrugore në Veri-Lindje të vendit, reshjet e dëborës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe policia rrugore ka udhëzuar drejtuesit të udhëtojnë me zinxhir.
Raportohet se në akset: Pukë- Qafë Shllak- Qafë Mali trashësia e dëborës ka arritur në 40-50 cm, Pukë -Qafë Mali- Dardhë trashësia e dëborës është 40-50 cm, në aksin rrugor Gjegjan- Fushë Arrëz trashësia e dëborës ka arritur 20-30 cm dëborë, aksi rrugor Selcë- Vermosh-Malësi e Madhe trashësia e dëborës është 40 cm. Në qytetin e Pukës dhe Fushë Arrëz trashësia e dëborës ka arritur në 10 cm.
Nga reshjet e dëborës janë përfshirë edhe mjaft komuna dhe fshatra të thella malore të rrethit të Dibrës. Komunat Trebisht, Ostren, Martanesh, si dhe disa fshatra të komunës Zerqan dhe Shupenzë janë gdhirë të mbuluar nga dëbora. Reshjet e dendura të shiut me furtunë dhe dëborë kanë shkaktuar probleme në mjaft segmente rrugore, ku ka pasur rrëshqitje dherash, por jo bllokim qarkullimi. Sipas policisë, rruga nacionale Bulqizë-Peshkopi është e kalueshme me zinxhirë. Ndërkohë, vështirësi ka në segmentin Bulqizë-Krastë dhe Bulqizë-Librazhd, ku mjetet kalojnë vetëm me zinxhirë. Ndërkohë, dëbora ka nisur edhe në qarkun e Korçës, ku në disa prej qafave kryesore të maleve ka pasur probleme në qarkullimin e mjeteve.
Probleme janë raportuar në vendin e quajtur Qafa e Qarrit, që ndan rrethin e Korçës me atë të Kolonjës, në fshatrat Dardhë dhe Voskopojë, por nuk ka pasur bllokime të akseve. Ndërkohë, reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike, duke bërë që energjia të shkëputet në disa komuna të thella.
3 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Nisin reshjet e dëborës, probleme në rrugët e Veri-lindjes burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP