Nisma “Këpucët e Krishtlindjes” – Një nismë solidare që sjell buzëqeshje për dhjetëra fëmijë në prag të festive

Në prag të festave të fund vitit, ka nisur në qytetin e Korçës nisma humanitare “Këpucët e Krishtlindjes”, një aksion solidariteti që synon t’u dhurojë fëmijëve në nevojë një palë këpucë të reja për dimrin.
Një nga organizatoret Stela Viso thekson se kërkesa është e lartë dhe puna vijon çdo ditë për të identifikuar fëmijët që kanë më shumë nevojë.
“Presim që të arrijmë 200-300 palë këpucë dhe do të qëndrojmë si në qendër të Korçës ashtu dhe në zonat rurale dhe më pas ekipi do të bëj shpërndarjen. Këtë vit ndryshe nga vitet e kaluara ne do të jemi 2 javët e para do të presim kontaktet dhe javën e fundit i ftojmë qytetarët që të sjellin këpucët në stendën ku ne do të qëndrojmë”, u shpreh Stela Viso, Vullnetare e nismës “Këpucët e Krishtlindjes”.
Sipas Visos, nisma ka për qëllim jo vetëm mbështetjen materiale, por edhe krijimin e atmosferës së ngrohtë festive, duke sjellë ndjesinë se askush nuk mbetet vetëm gjatë Krishtlindjeve.
“E vlerësojnë më shumë familjet që dhurojnë dhe janë ata që e përjetojnë më tepër gëzimin që në këtë muaj të jemi me zemër të hapur për ti dhuruar gëzim, ngrohtësi, dashuri një fëmije që është zbathur”, tha ajo.
Fushata do të vijojë gjatë gjithë muajit dhjetor, me synimin për të ndihmuar sa më shumë fëmijë dhe për të kthyer solidaritetin në traditë të përvitshme.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/