E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një Shkodër më e sigurt në rrugë, nisma ndërgjegjësuese për respektimin e rregullave të qarkullimit

Qyteti i Shkodrës po përballet me një rritje të ndjeshme të trafikut rrugor. Fluksi i lartë i qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve dikton nevojën për përmirësimin e parametrave të sigurisë.

Në këtë kuadër, një grup aktivistësh me mbështetjen e ambasadës suedeze në Shqipëri, ka ndërmarrë një nismë të veçantë me synimin “Një Shkodër më e sigurt në rrugë, për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”.

“Është një nismë e cila mbështetet nga programi i Policisë Rrugore nga Ambasada Suedeze, e cila i përket mbështetjes së qytetarëve për lëvizje më të sigurt. Kjo nismë nuk është vetëm për kalimtarët, por edhe për çiklistët apo dhe atyre me makina” u shpreh Mirsad Basha, drejtues i organizatës “Eko Mendje”.

Në një qytet me histori të gjatë të kulturës së pedalimit, sfida është që të gjithë përdoruesit e rrugës, shoferë, biçiklistë e këmbësorë të bashkëjetojnë në mënyrë të sigurt. Dhe kjo, sipas aktivistëve, fillon me edukim dhe respekt të ndërsjellë.

Aktivistët theksojnë nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe respektimin e rregullave të qarkullimit, por gjithashtu kërkojnë dhe  shtimin e semaforëve dhe sinjalistikës rrugore në zonat më të frekuentuara.

“Do të kisha dashur më shumë semaforë në zonat të ndryshme të Shkodrës. Pavarësisht se pas vendosjes së semaforëve, jemi më të sigurt, por gjithsesi duhet shtimi i tyre në vende të caktuara pasi makinat shpeshherë lëvizin me shpejtësi të madhe”, shprehet aktivistja.

“Edhe qytetari shkodran duhet të jetë më i ndërgjegjësuar sepse çdo ditë po shohim aksidente”, thekson aktivisti.

Shpejtësia mbi normat e lejuara, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të mjetit dhe mosrespektimi i shenjave rrugore janë bërë shkak për shumë aksidente, shpesh me pasoja tragjike.

Gazetar: A.Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›