E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Një ditë në profesion”, vajzat zbulojnë fuqinë e zgjedhjes së një profesioni

Shkolla Profesionale Shërbime në Korçë zhvilloi aktivitetin “Një ditë në profesion”, një iniciativë që kishte për qëllim të afronte vajzat me botën e profesioneve dhe fuqizimin përmes arsimit profesional.

Aktiviteti mblodhi bashkë nxënëse të klasave të 9-ta dhe nxënëse të shkollës profesionale.

Gra të suksesshme në fusha të ndryshme profesionale ndanë rrugëtimin e tyre, sfidat dhe arritjet, duke ofruar modele konkrete për vajzat që ndodhen përpara zgjedhjes së rrugës së tyre arsimore.

“Orientojmë të rinjtë, në veçanti vajzat, drejt profesioneve, për t’u treguar se sa i rëndësishëm është profesioni, se sa të afta janë vajzat që të ndjekin një profesion të caktuar, duke nxjerrë në pah të gjitha përfitimet që ka një vajzë profesioniste,” shprehet Tatjana Mero, drejtoresha e Shkollës Profesionale Shërbime.

Një prej nxënëseve të kësaj shkolle tregon se ka bërë zgjedhjen e duhur.

“Sot ka ardhur koha e profesionistit. Mund të bësh edhe 30 vite shkollë, por nuk mund t’i vlerësojë askush, se sot që vendet e punës, qoftë për mësues apo mjek janë bërë shumë të vështira. Këtu merr një profesion dhe e ke tëndin. Kudo që të shkosh i ke dyert e hapura,” thotë nxënësja e Hoteleri-Turizmit, Xhensila Mile.

Aktiviteti është cilësuar si frymëzues edhe nga nxënëset e klasave të nënta.

“Ky takim ishte tepër i vlefshëm dhe gjithkush nga ne mori një mesazh dhe ndoshta e bëri zgjedhjen e vet se ku mund të vazhdojë. Kjo shkollë është tepër e vlefshme për dikë që ka një pasion ose dëshiron të vazhdojë më tej,” tregon nxënësja e klasës së 9-të, Ester Ibro.

Ndërkohë, njëra nga profesionistet e ftuara, që punon në fushën e bujqësisë, theksoi se është koha që vajzat të eksplorojnë edhe ato profesione që shpesh shihen si “mashkullore”.

“Bujqësia të ofron mundësi punësimi, që të jesh në ndihmë të fermerëve, t’u japësh atyre teknologjitë e reja, t’u flasësh për të mirat që ata sjellin nga bujqësia,” shprehet Dorisa Miliku, specialiste laboratori në QTTB Korçë.

“Një ditë në profesion” u kthye në një ditë reflektimi dhe motivimi, duke sjellë më afër vajzat me mundësitë që ofron arsimi profesional.

Gazetare: E. Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›