Një dolli për raketën (FOTO)
Këshilli i Sigurimit i OKB ka dënuar ashpër lëshimin e një rakete nga Koreja e Veriut.
Presidenti i Këshillit, ambasadori maroken, Mohammed Loulichk tha se lëshimi i raketës është një dhunim i qartë i rezolutave të Këshillit të Sigurimit.
Diplomatët perëndimorë kërkojnë që kjo deklaratë të pasohet me një rezolutë.
Më herët SHBA e kishte quajtur një akt thellësisht provokativ që kërcënon sigurinë rajonale.
Nëse kalon një rezolutë e OKB, do të thellohen sanksionet ndaj këtij vendi, por gjithçka varet nga roli i Kinës.
Deri më tani Pekini ka shprehur keqardhje për veprimet e Koresë së Veriut, por ka kërkuar vetëpërmbajtje në masat e reagimit.
Koreja e Veriut e ka lëshuar raketën pak përpara zgjedhjeve presidenciale në Korenë e Jugut.
Raketa Unha- 3 dërgoi një satelit në orbitë. Gjithçka shkoi me sukses, thanë zyrtarët e Koresë së Veriut.
Një pjesë e raketës ra në Kore, tjetra pritet të bjerë në Filipine.
Koreja e Veriut i bëri të ditura planet për lëshimin e një rakete me rreze të gjerë në fillim të muajit.
Koreja e Veriut thotë se raketa thjesht synon të hedhë në orbitë një satelit, por amerikanët druhen se kjo shërben si mbulesë për testimet për të hedhur raketa edhe në SHBA.
Në fillim raketa pati probleme teknike, por koreano-veriorët e zgjidhën shumë shpejt situatën, duke habitur ekspertët e armatimit në Perëndim.
Tani Koreja e Veriut ka një lider të ri dhe ka deklaruar se do të zgjerojë arsenalin bërthamor.
Lajmi i hedhjes së raketës u prit me gëzim e dolli në vendin e varfëruar në ekstrem. Në rrugët e kryeqytetit Pjongjang shpërthyen brohoritje dhe pati njerëz që kërcenin në rrugë.
Ndërkohë në Korenë e Jugut pati protesta publike.








