E Diel, 1 Nëntor 2026

Një emër shqiptar në artin botëror, Fadilja Çunmulaj, piktorja me karrierë ndërkombëtare viziton Shkodrën

Për artisten Fadilja Çunmulaj, piktura është pjesa më e rëndësishme e jetës së saj. Shqiptarja nga Mali i Zi, e cila prej 50 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ekspozuar veprat e saj në disa prej qyteteve më të njohura të botës. Gjatë karrierës së saj, ajo ka marrë pjesë në ekspozita në New York, Paris, Venecia, Torino, Milano dhe Vjenë, duke promovuar artin dhe identitetin shqiptar në skenën ndërkombëtare.

“Arti është një pasion që qëndron me artistë brenda. E zgjova nga gjumit. E zgjova dhe të gjitha ato ëndrrat e mia i bëra realitet. Ajo është një gjë që as fjalët nuk mund ta shpjegojnë se si vjen ai emocion nganjëherë edhe nga një moment që sheh apo dëgjon diçka është realizim”, tha jo.

Artistja vizitoi për herë të parë Shkodrën, ku shprehet e emocionuar nga qyteti, trashëgimia kulturore dhe mikpritja që gjeti.

“Kam ndaluar në aeroport në Shqipëri, por nuk e kisha vizituar  vendin. Kjo ishte hera e parë. Kisha emocion, kisha një dëshirë të madhe, por nuk e kisha mundësinë për të ardhur. Një emocion aq i fortë”, u shpreh piktorja.

Së shpejti, Fadilja Çunmulaj pritet të jetë pjesë e një projekti artistik në Shkodër. Ky bashkëpunim synon të sjellë në qytet përvojën e saj ndërkombëtare dhe të krijojë lidhje të reja në fushën e artit.

Gazetar: M. Gjini   

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›