E Diel, 1 Nëntor 2026

Një festë me shumë zero

Qeveria shqiptare dhe institucionet e tjera të shtetit, duke filluar nga Parlamenti, kanë premtuar festime madhështore për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Ky jubile do të festohet në një atmosferë ku temat kombëtariste dhe flamujt kuqezi sa vinë e zënë kryet e titujve në mediat, falë edhe angazhimit populist të AKZ-së.

Është ende herët të flitet për këto festime madhështore, por jo të tërhiqet vëmendja për implikimet e tyre.

Para së gjithash, duhet pyetur se përse po e festojmë me kaq bujë këtë përvjetor; një përse që nuk ka të bëjë aq me shkaqet e mirëditura, sesa me synimet e këtij premtimi të kushtueshëm.

Përkujtimi i së shkuarës nuk ka asnjë vlerë në vetvete, ose jashtë pranisë së kësaj së shkuare në të sotmen.

Asnjë vlerë në vetvete nuk kanë as numrat e rrumbullakët si 100, numrat e pjesëtueshëm me 5, ose datat në kalendar si të tilla. Të nxjerra nga konteksti, këto aritmetika naive prekin vetëm mendjet e foshnjeve.

Festimi me bujë i pavarësisë do tia vlente vërtet sikur pavarësia e Shqipërisë sot të ishte në rrezik por të gjithë e dimë se nuk është kështu. Përkundrazi, në rrezik është pavarësia e institucioneve të shtetit shqiptar, për shkak të paaftësisë, korrupsionit dhe meskinitetit të klasës sunduese.

Nuk ka asnjë të keqe që njerëzit të festojnë dhe të kremtojnë gjithçka dëshirojnë në familje, në shoqëri, në komunitet. E keqja nis kur, në këto festa, fut turirin e vet të lyrosur pushteti.

Dyshimi im dhe frika ime është se 100-vjetori i pavarësisë do të përdoret, haptazi dhe lirisht, nga qeveria e Berishës, për të kërkuar pak legjitimitet nga qytetarët, duke u paraqitur sado qesharake të jetë kjo në vetvete si vazhduesja e institucionit sovran që u përurua në 1912 në Vlorë.

Qytetarët që do të mblidhen në liturgjitë e radhës, për të kremtuar shenjat dhe simbolet e shtetit njëqindvjeçar, në të vërtetë do të kremtojnë qeverinë e sotme, si rojtare dhe depozitare të historisë së kombit.

Berisha, Topalli dhe të tjerë udhëheqës të shtetit dhe drejtues të institucioneve të larta do të shfaqen në tribunat, presin shiritat, lexojnë fjalimet e radhës, shpërndajnë dekoratat, përurojnë përmendoret, premtojnë fondet.

Do të tunden flamujt, shfaqen filmat dokumentarë përkatës, do të vishen gjindja me kostume popullore, përmendet plaku i urtë Ismail Qemali, Marigoja, Skënderbeu; do të luhet himni dhe do të shtien topat.

Në rrethanat kur mbi këtë qeveri dhe këtë shumicë rëndojnë akuza shumë të rënda, për vrasjet politike të 21 janarit 2011, festimi me pompë, ngjyra, saze, recitime, qofte të skarës dhe fishekzjarrë i një date të zbrazur nga çdo kuptim do të ishte edhe rast i mirë për të rehabilituar pushtetin në sytë e syleshëve.

Nëse nuk është kështu, atëherë le të premtojnë Berisha, Topalli dhe të tjerët se nuk do të përzihen në festimet, nuk do ti nxjerrin portretet e konsumuara në kamerat, as do të ulërijnë nga podiumet e mitingjeve.

Qytetarët mund të festojnë për bukuri edhe pa mysafirët që u imponon pushteti në sofrat. Le të jetë 2012-a një vit i qytetarit që përkujton dhe nderon të shkuarën nëse ka ai vetë arsye për ta bërë këtë, jo i kravatave dhe i ngërdheshjeve të pushtetarëve, që e kanë mendjen veç të riprodhojnë të sotmen edhe nesër.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›