Një hap drejt liberalizimit të vizave për Kosovën, Rama: Më në fund BE po e heq nga vetja njollën e turpit

Kryeministri Edi Rama uroi Kosovën pas vendimit të marrë sot (9 mars 2023) nga ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës!” shkruan Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.
Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.
Hyrja në fuqi e këtij sistemi vitin që vjen është vendosur si datë e re në faqen zyrtare të sistemit ETIAS. Kur të hyjë në fuqi ky sistem, ata që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim i cili është i vlefshëm për tre vjet.
Për këtë, qytetarët do të duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 dhe mbi 70 vjeç mund ta bëjnë falas.
/rtsh.al/