Një jetë mes fijesh, historia e artizanes nga Durrësi që nuk e braktisi kurrë zanatin

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Në një lagje të Durrësit, larg zhurmës së përditshme të qytetit bregdetar, një derë e vogël hapet çdo mëngjes për të pritur dashamirësit e punimeve artizanale.
Brenda saj, mes ngjyrave të shumta të penjve dhe tingullit të lehtë të shtizave dhe grepave që përplasen, punon prej më shumë se dy dekadash një grua që e ka kthyer pasionin në mënyrë jetese.
Prej 20 vitesh, Manushaqe Arifaj i qëndron besnike një zanati që për shumëkënd sot duket i harruar: punimet me grep dhe thurja me shtiza. Çdo shall, triko, çantë, kornizë apo dekor shtëpie që del nga duart e saj mbart jo vetëm mjeshtëri, por edhe histori, kujtime dhe një dashuri të rrallë për detajin.
“E kam nisur që kur isha në klasë të parë, duke imituar gjyshen time, por shumë shpejt u kthye në pasion”, tregoi Arifaj, ndërsa duart i lëvizin me një shpejtësi dhe saktësi që vështirë të ndiqet me sy.
Fillimet nuk kanë qenë të lehta. Në një kohë kur tregu dominohej nga prodhimet industriale, punimet artizanale shpesh mbeteshin në hije. Megjithatë, ajo nuk u dorëzua.
Manushaqja, thotë për ATSh-në se në fillim punonte për porosi të vogla brenda familjes dhe të afërmve. Më pas, me kalimin e viteve, kërkesa nisi të rritej. Klientët e saj janë jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga qytete të tjera, sidomos turistët e huaj që tërheqin nga autenticiteti i produkteve të saj.
Çanta të punuara me gurë e rruaza, korniza murale për shtëpi dhe hotele, vazo qelqi të veshura me punime artizanale, në krijimet e Manushaqes mund të gjenden gjithfarë krijimesh të veçanta.
“Çdo punim është ndryshe. Nuk ka dy të njëjta, edhe kur modeli është i njëjtë. Porositë më të mëdha më vijnë sidomos gjatë sezonit veror, sepse Durrësi ka shumë turistë të huaj, por edhe bashkatdhetarë tanët që kthehen nga emigrimi për pushime në vendin tonë. Kam kërkesa sidomos për çanta, aksesorë, korniza etj.”, tha Arifaj.
Përveç aspektit ekonomik, zanati ka edhe një vlerë të madhe shpirtërore për të. Thurja, qëndisja, punimet me grep dhe shtiza, të gjitha janë një formë meditimi, një mënyrë për të gjetur qetësi në një botë gjithnjë e më të zhurmshme.
“Kur punoj, harroj çdo shqetësim”, tha ajo me një buzëqeshje të lehtë.
Arifaj theksoi se shumë të rinj nuk janë të interesuar të mësojnë këtë zanat, duke rrezikuar kështu zhdukjen e tij ose duke e përqendruar në duar të brezit të profesionistëve të moshës së saj.
“Do të doja shumë që kjo traditë të vazhdojë”, u shpreh Arifaj.
Për më tepër që ojnat, arti i rafinuar i thurjes me grep dhe gjilpërë në traditën shqiptare janë tashmë kandidate për t’u shpallur nga UNESCO si pjesë e listës përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Ky detaj gati e “lumturon” Manushaqen, e cila prej më shumë se dy dekadash investon ide dhe djersë në një gamë punimesh të veçanta ndër vite.
“Do të ishte fitore e madhe nëse diçka e tillë ndodh, sepse tregon rëndësinë e artit të dorës, që unë, por edhe mikesha të miat në qytete të ndryshme të vendit e ruajmë dhe shpresojmë ta trashëgojmë ndër breza”, pohoi Arifaj.
Në një botë ku teknologjia dominon dhe prodhimi masiv ka zëvendësuar shpesh punën me dorë, historia e Manushaqes është një kujtesë e fuqishme se vlera e artizanatit dhe punimeve me dorë nuk zbehet kurrë. Në çdo fije që ajo thur, jeton një copëz tradite, një histori personale dhe një dëshmi se pasioni i vërtetë i reziston kohës.
Nga punimet e artizanes Manushaqe Arifaj 1 nga 10/e.i/a.f/r.e/