E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një krahasim, shumë krahasime

Nga Gjergj Thanasi

Nuk mund ta harroj personelin e një hoteli në Sejshell (një grup ishujsh në Oqeanin Indian), në shtator të vitit 1997: Kur u thashë që jam shqiptar, mu përgjigjën: Aha Shqipëria, kallashnikovë, Berisha, shumë kallashikovë.

Sot, kryeministri shqiptar i ngjan më tepër se kurrë ledi Makbethit në përpjekje për të larë njollat e gjakut nga duart. Ai po kërkon me ngulm te shkulë nga mendjet e shqiptarëve  ngjashmërinë e tij me Gedaf-ët e botës arabe, një synim ky shumë i vështirë për tu realizuar. I vështirë sepse ngjashmëria e tij me diktatorët arabë të  rrëzuar apo në rrëzim e sipër është kaq e dukshme sa edhe më skeptikut do ti mjaftonin pak minuta lundrim në internet që ti shkonte menjëherë mendja tek krahasimi.

Që në 90-n Berisha, njëlloj si Gedafi uzurpoi një revolucion të filluar nga të tjerët dhe e moli atë si mjelësja lopën. Njëlloj si Gedafi e bëri Shqipërinë të famshme për të keq në të katër anët e botës vetëm pak vite më vonë. Njëlloj si Gedafi por me shkallë zvogëlimi përdor mercenarë të huaj – ai mijëra nga vendet e Afrikës, ky gjysëm dyzine serbësh me pasaportë të Malit të Zi. Gedafi përpiqej ta blinte përkrahjen perëndimore me naftën e Libisë, ky përpiqet ti blejë lobistët me paratë e shqiptarëve të varfër. Ai përkrahte terroristët nga IRA te Abu Lidali, ky nga al Aramaini te raketat e supit për Hizbullahun. Ai vrau protestuesit para zyrës së tij, dhe ky bëri të njëjtën gjë.

Ai vrau ministrin e luftës së qeverisë opozitare të Bengazit, këtij ia vrau një dorë e panjohur deputetin opozitar në prag të shtëpisë. Ai përdor djemtë si qehallarë të pushtetit, ky përdor djalin, gocën e kollovarin. Ai nxjerr on line spikere televizioni me kobure në dorë, që betohen për kokën e Gedafit, ky nxjerr gra-burra e burra-gra që trembin fëmijët nga ekranet qeveritare, duke sharë puçistët e duke lavdëruar Doktorin. Atë zemërimi popullor e dëboi nga Tripoli për në vendlindje, për në Sirte. Ky ende banon në mes të Tiranës dhe zullumet që ka kryer në kurriz të vendlindjes e ndalojnë të kthehet e të banojë në Tropojë.

Po Edi Rama a ngjan me kundërshtarët e Gedafit? Absolutisht jo! Ata janë në shumicën e rasteve heronj. Ky i yni është thjesht shef opozite. Ata nga dashuria për lirinë mësuan me çmim gjaku zanatin e ushtarit profesionist. Këtu te ne shefi i opozitës shkruan pamflete publicistike. Opozita libiane angazhonte informaticienët më të mirë në rradhët e saj madje edhe indianë e jug-koreanë për të bërë propagandë e luftë elektronike kundër Gedafit; qehallarët e këtij tonit refuzonin ofertat për propagandë elektronike gjatë fushatës me sebepin se nuk ja vlente sepse Edi Rama e paskësh të fituar garën me këtë kollovarin e Doktorit. Sot këta qehallarë i gëzohen fondeve që vodhën gjatë fushatës, kurse socat e mjerë po dëbohen nga bashkia me dyzina. E kështu me rradhë

Ky i yni mendon se është krishti Panteokrator, por është larg, shumë larg të qenit vigan liberator. Sot shqiptarët kanë nevojë për njeriun e shpresës, ky u premton arrnime partie me rrobaqepës Cacin. Ky i yni beson, se po qe poshtë fikut, një ditë fiku do kalbet e do tI bjerë kokrra në gojë. Kryengritësit libianë ditën të bëhen aleatë me Amerikën, Italinë, Gjermaninë, Anglinë apo Katarin, ky i yni edhe kur media ia ngre topin (duke zbuluar allishverishet e pafundme të Gedafit të Tiranës) nuk e bën dot pikë. I madh, shumë i madh është ndryshimi i bash-opozitarit të këtushëm nga heronjëtë e Tarabullusit

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›