Një letër nga të rinjtë shkodranë
Redan Bushati / Këshilli Studentor
E nderuar redaksi e gazetës Shekulli
Me anë të kësaj letre, ne të rinjtë e Universitetit të Shkodrës kërkojmë të falënderojmë gazetën “Shekulli” për pasqyrimin objektiv të lajmeve.
Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) në emër të studentëve që ndjekin studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” ju shpreh mirënjohjen e thellë për angazhimin tuaj qytetar dhe profesional në shërbim të informimit në kohë të publikut me nismat që kjo strukturë studentore ka ndërmarrë dhe hapësirat e nevojshme që ju ua mundësoni mendimit rinor intelektual. Sigurisht që veprimtaria jonë ka pasur nevojë për një njohje më të gjerë nga opinioni shkodran dhe ai shqiptar, e cila pa kontributin tuaj nuk do të ishte në përmasat aktuale.
Ashtu siç organizojmë aktivitete, nisma sociale e humane apo kontribuojmë shpeshherë në jetën e vendit tonë, dimë edhe të falënderojmë ato të cilët sipas mënyrës së tyre kanë kontribuar për një imazh universitar dhe akademik më ndryshe, për një jetë më të mirë dhe në shërbim të interesave arsimore e kombëtare.
Pranoni me kënaqësi këtë letër falënderimi nga Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH), për kontributin tuaj gazetaresk në pasqyrimin e informacioneve të nevojshme akademike, sociale dhe kulturore, që kjo strukturë studentore dhe këto studentë të angazhuar kanë përcjellë në jetën e shoqërisë sonë.