E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Një letër për fundin’-Rexhep Qosja i lë amanet nipit të tij: S’dua prani zyrtare, në varrim vetëm familjarët e mi

Akademiku, shkrimtari dhe kritiku i shquar i letërsisë shqiptare, Rexhep Qosja i cili u nda sot nga jeta, ka lënë një letër amanet drejtuar nipit të tij, Valjetit.

Letra, e datës 30 prill 2016 dhe e nënshkruar personalisht nga Rexhep Qosja në Prishtinë është bërë publike nga nipi i tij si dëshmi e fjalës së dhënë dhe respektimit të amanetit.

Në këtë letër Qosja shkruan se “Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror… dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar… duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare. Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. … pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime, Shpresës.”

Ai thekson se ka jetuar thjesht dhe dëshiron të varroset po aq thjesht.

Duke iu referuar jetës dhe veprës së tij të kushtuar lirisë, bashkimit kombëtar dhe mirëqenies demokratike të shqiptarëve, Qosja shpreh se nuk u ka mbetur borxh as Shqipërisë as Kosovës, ndërsa çdo borxh eventual nga Kosova mund të gjykohet nga historianët e ardhshëm.

Letra mbyllet me fjalët: “Vdes i qetë” dhe me bindjen se ka vepruar duke bërë mirë dhe duke përhapur njerëzillëkun, pavarësisht kushteve të vështira politike dhe shoqërore në të cilat ka jetuar.

Letra e plotë:

Një letër për fundin.

Po e ndaj me ju si dëshmi e fjalës së tij, duke respektuar amanetin që më është besuar.

Valjeti

____________________________________________________

NIPIT TIM VALJETIT

I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT

KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.

Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë.

Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.

Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet

Rexhep Qosja

(nënshkrimi)

Prishtinë, 30.4.2016

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›