E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një mësim i mirë për Ramën

Në muajt e parë të legjislaturës së fundit, shumëkush që kishte ndonjë mik socialist deputet, nuk kish sesi të mos gjendej keq teksa dëgjonte shfrimet e deputetëve të PS-së ndaj kryetarit të tyre. Arsyeja ishte e thjeshtë: Ishin me vetëdije në anijen e madhe socialiste, ishin futur tufë në grevë urie të paprecedent...por ishin edhe pa rrogë. Urdhri ishte i prerë nga kryetari: Vazhdoni rezistoni! Nga ana tjetër, me thjeshtësinë ‘e zakonshme’ të procedurës administrative parlamentare, Znj. Topalli u kish prerë rrogat. Të gjorëve u kish mbetur të flisnin vetëm nën zë...
Kuptohet se pushteti i qesëndisi gjatë. Edhe më vonë kur ndodhi 21 janari dhe kur e futi në kalenda gjyqin e Gërdecit. Ata mbetën në protesta pa plan dhe thjesht në një luftë pa krye, që ngriti si zakonisht në fund vetëm figurën e Ramës. Njëshit. Pasi, ashtu si Berisha, të dy prej sistemit politik në fuqi, koleksionojnë të vetëm fitoret dhe mundin, kurse vuajtjet u mbesin deputetëve, që në fillim të mandatit u ngjajnë ushtarëve të dikurshëm të vitit të parë.
Në fakt, kush do ta donte vërtetë kauzën e socialistëve shqiptarë dhe do të ndante me ta shqetësimin për hallakatjen në mesoren opozitare, që deri më tash s’po shfaq ende dritë, do të ishte më mirë t’u dhuronte atyre dhe Ramës librin e Gene Sharp nga “Diktatura në Demokraci”, prej vitesh Bibla e përbotshme e ndryshimeve pa dhunë. Shqipëria s’është diktaturë, por që Shqipëria qelbet krejt Autokraci, është e pamundur të mos thuhet. I gjithë sistemi qeverisës në të cilin fuqia politike supreme është e koncentruar tek dora e Berishës, vendimet e të cilit nuk kanë as edhe kufizimin më të thjeshtë ligjor si edhe as mundësinë normale të mekanizimit të kontrollit popullor, kanë thjesht një emër në fjalorin politik: Autokraci.
Në këtë rast, shumë nga ideologët e sotëm të PS-së, bash të shkolluar dhe që citojnë pa fund ideologë, ekonomistë, sociologë të huaj, harrojnë se ideja dhe teoria për kthesën është shumë afër. Një libërth i vogël, që një shtëpi botuese modeste dhe interesante e ka nxjerrë së fundi në shtyp edhe për shqiptarët. Atje ke të precizuar sesi mund të marrësh një pushtet. Dhe, të mos harrohet se sa më i egër dhe i sofistikuar është ai, aq më e thjeshtë është për ta mundur në përshkrimet gati didaktike të autorit.
Mesazhi i tij qendror është se fuqia e diktaturës vjen nga bindja e vullnetit të popullit që qeverisin diktaturat- dhe faktin tjetër se nëse njerëzit mund të saktësojnë teknikat e mospëlqimit të tyre, regjimi do mund të shkërmoqet shpejt. Kuptohet se politikanët tanë rëndom mund të të përqeshin nëse i përmend emrin e Sharp, njërit nga kandidatët e Nobelit për 2009, edhe pse falë mësimeve të tij, bota arabe dhe institucionet e saj, mësuan teorikisht sesi ta kanalizonin urrejtjen, ashtu si Otpor në Beograd filloi rezistencën ndaj një prej regjimeve më gjakatare të Ballkanit etj.
Ai nuk pretendon dhunë, por pretendon një strategji e gjerë rezistence. Një e tillë që gati mungon tek Opozita shqiptare dhe përveç kësaj kërkon disa institucione, që në vendin tonë pothuaj as nuk njihen fare. Syresh kanë të bëjnë me sindikatat, institucione nga më të turpshmet në ekzistencën e shtetit shqiptar; administratës, mbushur për fat të keq me militantë; por edhe artit e letërsisë etj. Për ta shtjelluar idenë, Sharp parashtron plot 198 armë “jo të dhunshme” që rreshtojnë nga përdorimi i ngjyrave ndryshe te kyçi i dorës edhe deri tek kinse funeralet dhe bojkotet e vazhdueshme. Për fat të keq, Opozita në të gjitha mitingjet masive, më shumë ka treguar se ka numër mbështetësish, sesa të trandë sistemin autokratik të Berishës, që prej disa prej përfaqësuesve të huaj është artikuluar qartë: Ky njeri sundon por nuk qeveris. Deri më tash, opozita shqiptare shquhet për mangësi dhe mosvazhdimësi, për gjetje të gabuara kundërshtimi dhe centralizim të palogjikshëm të rezistencës së saj. Të zënë për fyti nga këshillat e pambarimta të ambasadorëve, dhe të lloj—lloj pseudosh këshilltarë, që thjesht vegjetojnë dhe presin pushtetin, ata kanë zgjedhur më mirë që të bëjnë një kundërshtim bajat në parlament, që degjeneron normal me fyerje me libër shtëpie, sesa vërtetë t’i tregojnë njerëzve sesi mund të ndryshojnë këtë regjim, nën drejtimin e tyre.
Më thjesht akoma por dhimbshëm, duket se ky pushtet nuk është se i intereson pjesës së madhe të tyre të opozitarëve shqiptarë, që nuk duken aq të shqetësuar për problemet ekonomike vetjake dhe ca më shumë të vendit. Kjo i bën socialistët një grup të dobët dhe që duket se pushtetin (që ka shumë gjasa ta trashëgojnë) ta përcjellin po kaq njësoj si paraardhësit dhe ta mbajnë po njësoj.
Gjithsesi, asnjëherë s’është vonë, këtë Bibël të ndryshimit tashmë e kanë dhe në shqip: Duhet të zhvillosh një strategji për të fituar lirinë (lexo ndryshimin) dhe vizionin e një shoqërie që doni! Kalo frikën me kinse akte të vogla rezistence! Përdor ngjyrat dhe simbolet për të demonstruar bashkësinë e rezistencës! Duhet mësuar nga shembujt historikë të suksesit në lëvizjet jo të dhunshme, dhe përdorimi i “armëve” jo të dhunshme! Përcaktoni shtyllat e mbështetjes dhe zhvilloni një strategji! Përdorni aktet opresive dhe aktet brutale nga regjimi si një mjet rekrutimi për lëvizjen tuaj! Izoloni ose hiqni nga lëvizja pro qeveritare, njerëzit që përdorin apo mbrojnë dhunën! Identifiko burimet që mbajnë diktaturën (Autokracinë) dhe bëji për vete!
“Epo, mirë- i tha një vajzë e re iraniane, ideologut të përmbysjes Gene Sharp(cituar nga CNN), Rinia është shumë e zhgënjyer nga brutaliteti i dhunës përdorur së fundi ndaj tyre...Ndaloi e gjithë protesta e rrugës. Çfarë do ti thoshit atyre në këtë rast? Si do mund të organizohen sërish?”
“Ju nuk keni pse të marshoni rrugëve përballë ushtarëve me automatikë. Kjo s’është gjë aspak e mençme për tu bërë. Por ka gjëra të tjera që mund të jenë edhe më ekstreme. Ju mund të rrini të gjithë në shtëpi”. “Komplet qyteti në qetësi dhe çdo ditë në shtëpi”. “Dhe, ti mendon se regjimi do çajë kokën për këtë?”, ia pat vajza...Biseda mbyllet thjesht me një tundje koke: Po.
A mundet që Rama ta kuptojë këtë lloj rezistence dhe Berisha ta ndjejë? Në planin zdërhallës shqiptar aspak. Këtu të gjithë tallen dhe bëjnë të mençmin vetëm në kafe dhe kuptohet para të huajve. Jo më kot lufta e opozitës shqiptare është një zhgënjim i madh dhe me gabime të mëdha taktike. Por më shumë akoma, ajo s’ka treguar asnjëherë se funksionon si një strukturë e tërë, e cila do të vendosë pikat mbi i. Në këtë rast edhe mësimet e Gene Sharp e kanë të vështirë që të japin ndonjë ide, nëse ato nuk shihen ashtu si janë... fare thjesht.
Kështuqë edhe në të ardhmen, deputetëve të PS-së u mbetet të presin sms-të e kryetarit dhe kur privohen për ndonjë gjë, siç ndodh rëndom kur s’begenisen, të ankohen tek shokët e tyre për kryetarin dhe për këtë dreq Berishe, që s’do t’ia dijë fare dhe që po plotëson qetësisht qëllimin e tij më të madh të karrierës që ta drejtojë shtetin shqiptar në 100 vjetorin e tij, si shtetari i parë real de jure dhe de facto i këtij vendi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›