Një mijë shtretër të lirë në Qytetin Studenti, aplikim online për rezervimin e dhomave

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Në Qytetin Studenti janë ende 1000 shtretër të lirë, nga 4500 që është kapaciteti maksimal i studentëve që mund të presë Qyteti Studenti, në kuadër të nisjes së vitit të ri akademik.
Drejtuesja e ndërmarrjes nr. 1 të strehimit të studentëve, Anila Shehu në një intervistë për mediet tha se aplikimin studentët mund ta bëjnë online.
Ajo pohoi se interesi i të rinjve për tu regjistruar në godinat e Qytetit Studenti është rritur. “Ne kemi një kapacitet prej 4500 studentësh, të regjistruar 3400 studentë. Ky vit akademik ne na gjen me 14 konvikte të reja dhe 14 konvikte të reja kanë kapacitet mbi 2000 vende akomoduese. Studenti nga shtëpia bën regjistrimin online dhe ka tri ditë kohë që të kryejë pagesën në bankë dhe më pas vendi është i tij ose i saj”, u shpreh Shehu.
“Këto konvikte janë falë një bashkëpunimi dhe një mbështetje të qeverisë gjermane përmes bankës KfW. Janë rikonstruktuar me parimin e eficiencës së energjisë, ka një sistem ftohës dhe ngrohës të kondicionimit, kanë dhoma akomoduese me dy studentë, kanë tualetin privat, kanë guzhinë në secilin kat, kanë lavanderinë qendrore dhe kanë çdo gjë. Ne po bëjmë një analizë kostoje dhe pagesa mund të pësojë një rritje shumë të vogël në konviktet që do të hapim”, nënvizon Shehu.
Aktualisht për t’u akomoduar në godinat e këtij qyteti një student paguan 4500 lekë në muaj, ndërkohë që te godinat e rikonstruktuara pagesa është 5500 lekë në muaj.
/a.f/