Një muaj të bllokuar nga bora, nis hapja e aksit Shtyllë-Panarit

Prej më shumë se një muaji është e pamundur të hysh në fshatin Panarit të Korçës. Bora e cila vende-vende arrin mbi dy metra, por edhe akulli e kanë bërë të pamundur qarkullimin në aksin Shtyllë- Panarit.
Për panaritasit kjo situatë nuk është e panjohur, ndaj dhe marrin masa për ushqimet për vete dhe për gjënë e gjallë. Edhe energji elektrike kanë, por për çdo gjë tjetër, gjatë kësaj periudhe e vetmja rrugë komunikimi është ajo nga fshatrat Trebickë e Shëmtirë për të shkuar drejt Ersekës, qoftë edhe për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Fshati Panarit ndodhet në lartësinë deri në 1800 m mbi nivelin e detit, ndërsa rruga Shtyllë- Panarit është e gjatë 12 km. Teknikët shpresojnë që brenda një jave të arrijnë ta bëjnë të qarkullueshme për mjetet.
Fshati i njohur i Panaritit ka më shumë se 40 familje me 200 banorë.