E Diel, 1 Nëntor 2026

Një pakt i ri historik për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

flamur shqiptaro grek

 Nga Sokol Kondi

Koha ka treguar se një pakt i gjërë midis dy vendeve është më i nevojshëm se kurrë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare problemeve shekullore

Çdo krizë mund të shihet edhe si një mundësi e re, si një pikënisje për të gjetur zgjidhje më efikase se në të kaluarën. Kjo mund të thuhet edhe përsa i përket marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Po të bazohemi te përvoja të tilla, si ajo e anëtares më të re të Bashkimit Europian, Kroacisë, e cila i zgjidhi një herë e mirë me marrëveshje kufijtë detarë me Slloveninë fqinje, apo të Italisë, ku problemet etnike në krahinat sllovene të Istrias (Pakti i Osimos i vitit 1975 me ish-Jugosllavine), apo ato austriake të Tirolit të Jugut (Alto Adige për italianët), janë zgjidhur prej kohësh dhe në mënyrë përfundimtare nëpërmjet marrëveshjesh dypalëshe, mund të nxirren sugjerime të dobishme edhe për zgjidhjen përfundimtare dhe krijimin e një fqinjësie të mirë ndërkufitare midis dy popujve më të lashtë në Ballkan.

Gjëja më pak e dëshirueshme është përballja konfliktuale me fqinjin tonë jugor, apo zgjidhja e problemeve me masa reciproke ekstreme. Zgjidhja, pra, nëpërmjet një politike të çastit (si ajo e qeverisë në ikje, e cila për tetë vjet bëri sehir përbri kthimeve të shumta të shqiptarëve në kufi për shkak të problemit të toponimeve në pasaporta, ndërsa në muajin e saj të fundit luajti rolin e luanit) apo një modus vivendi perpetuo nuk janë garanci për një të ardhme të përbashkët paqësore. Një nga përgjegjësitë më të mëdha të qeverisë së re, që merr trajta patriotike në këtë pikë, është kanalizimi i marrëdhënieve greko-shqiptare në një epokë të re, që të synojë një marëdhënie të qëndrueshme dhe një fqinjësi të mirë afatgjatë.

Inferioriteti

Që prej vitit 1992 e deri më sot, nuk është e tepruar të thuhet se politika e jashtme shqiptare është karakterizuar nga një pozitë inferioriteti karshi shtetit grek dhe për këtë nuk mund të përdoret si justifikim vetëm interesi i procesit integrues të Shqipërisë në familjen europiane, që na paskish diktuar një kujdes të tepërt, sepse edhe kënaqja e orekseve personale të klasës tranzitore politike shqiptare mund të ketë patur një ndikim jo të vogël në këtë qasje.

Këtë tezë mund ta përligjë përçapja e qeverisë së Athinës për të arritur, në favor të saj, një marrëveshje me Shqipërinë përsa i takon delimitacionit të kufirit detar. Jo rastësisht, kjo ka qenë një nismë e ndërmarrë nga fqinjët, të cilët, të vetëdijshëm se zotërojnë një instrument presioni, sikurse është vetoja për përparimin e Shqipërisë përgjatë itinerarit drejt Brukselit, por gjithashtu të ndërgjegjshëm se përballë kishin një klasë politike të manovrueshme, ka gjasa të kenë shpresuar, sikurse historia mëson, se mund të merrnin në det, atë dhuratë që Mbretëria Jugosllave mori në tokë me Shën Naumin gati një shekull më parë. Kjo ka qenë një mundësi mëse e realizueshme për Greqinë këto tetë vitet e fundit dhe, nëse legjislatura e fundit do të kishte patur një shumicë me shifrat e mazhorancës që pritet të qeverisë së shpejti, sot mbase do të ishim përpara faktit të kryer. Duke qenë se projekti i Karmanlisit dhe Bakojanisit nga njëra anë dhe i Sali Berishës e Lulzim Bashës nga ana tjetër nuk u realizua, letrat mbeten të hapura mbi tryeze në pritje të lojtarëve të rinj.

Mjetet e diplomacisë

Pikë së pari, duhet patur parasysh se vërtet paktet, marrëveshjet, janë një instrument kyç i së drejtës ndërkombëtare, janë mjeti ligjor i zhvillimit të saj, por, nga ana tjetër, po kjo e drejtë i ka përcaktuar saktë kriteret, mbi bazën e të cilave duhet të bazohen dy vende që i ndan i njëjti det, për sa i takon delimitacionit përkatës. Pra, një marrëveshje është një instrument efikas për të shmangur mosmarrëveshje midis palëve, por nuk është e vetmja rrugë diplomatike që të ketë një kufi detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Kufiri detar midis dy vendeve ekziston dhe garantohet nga e drejta ndërkombëtare detare. Në të janë të përcaktuar saktë, edhe pa qenë domosdoshmërisht nevoja e ndonjë marrëveshjeje, se cilat janë ujrat territoriale, ujërat krahas atyre territoriale, cili është shelfi kontinental, cila është zona ekonomike ekskluzive dhe ujërat ndërkombëtarë.

Edhe në rastet kur dy vende kanë një afërsi të tillë me njëri-tjetrin, aq sa kanë vetëm dete territoriale dhe asgjë më tepër, ose kur mes tyre ndodhen ishuj apo shkëmbinj, e drejta ndërkombëtare detare parashikon çdo gjë, deri në detaj, me milje, saqë nuk lë vend për dyshime.

Sigurisht, kur dy vende që ndahen nga i njëjti det nuk kanë pikëpamje të njëjta dhe i japin interpretime të ndryshme të drejtës detare ndërkombëtare, një tjetër mjet për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjes, që parashikon e drejta ndërkombëtare, është arbitrazhi. Në një rast të tillë, në marrëveshje me njëri-tjetrin, vendet mund t’i drejtoheshin një arbitri të huaj, duke zgjedhur një palë të tretë – apo disa syresh – që ata i konsiderojnë të paanshëm dhe duke u angazhuar se do të pranonin cilindo vendim që arbitrazhi do të merrte. Ky qe edhe propozimi që komisioneri i Zgjerimit në BE, Oli Rehn, i pati propozuar Kroacisë dhe Sllovenisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së tyre për delimitacionin detar, zgjidhje, e cila u pranua nga palët dhe rezultoi e suksesshme. Sllovenia, nga ana e saj, përdori, madje, edhe një referendum, duke i dhënë zë popullit për një çështje kaq me rëndësi, sikurse është sovraniteti territorial apo detar i një shteti. Edhe ky opsion është për t’u mbajtur si as nën mëngë, për t’u përdorur në rast nevoje.

Së fundmi, dy instanca të tjera në nivel ndërkombëtar në rast mosmarrëveshjesh janë edhe Gjykata Ndërkombëtare Detare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Kjo e fundit, vërtet jep mendime këshillimore, por ato, gjithsesi, kanë një forcë të konsiderueshme shtrënguese morale (shih rastin e Kosovës), pasi pala që do të konstatohej se është në shkelje të së drejtës ndërkombëtare, që, në rastin tonë, mund të ishte Greqia, do të ishte pa dyshim nën presionin e Bashkimit Europian që t’iu nënështrohej vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Shqipërinë.

Të njëjten trysni, BE-ja e ka ushtruar edhe ndaj Sllovenisë, e cila, për një periudhë të caktuar, u orvat të bllokonte procesin e anëtarësimit të Kroacisë.

Ideja është se marrëveshja e nënshkruar mes palëve për zonat përkatëse detare mund të bëhet në çast, nëse ato udhehi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›