E Diel, 1 Nëntor 2026

Një përgjigje për pyetjen e kryeministrit në Vlorë

Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës mësoi me habi të madhe deklaratën e kryeministrit Sali Berisha këto ditë në Vlorë. Fjalët e tij se “z.Meta” paska “shndërruar globalistët e Aleancës në dushkarë e referendarë” janë si shumë deklarata të tij të tjera në këto kohë, insinuata dhe fyerje kllouneske, nga ato që populli shqiptar nuk mund t’ia marrë më, seriozisht.

Por është shqetësues fakti që ky njeri, i cili lëvdatat e tij për një nga industritë më ndotëse të rajonit, sikurse përfaqësohet nga “La Petrolifera” që po ndërton në Vlorë (megjithëse i refuzohen kreditë), i bën pikërisht në kulmin e sezonit të pushimeve, kur pushuesit i janë drejtuar Gjirit të Vlorës pikërisht pse janë ende të pastra deti dhe rëra e tij, e pra që ky njeri është Kryeministri i Shqipërisë.

Në qoftë se ai i klasifikon si “antiglobalistë referendarë” njerëzit e Aleancës, ku arrijnë dhe aderojnë në çaste të caktuara edhe 14.000 qytetarë, si ata që nënshkruan për referendumin vendor, ose si mijërat që shqyen në janar pankartat e “Petroliferës” (te vendi që Berisha dhe Ruli ia shitën Italisë për 1 Euro), më e pakta që mund t’i përgjigjemi këtij farë Kryeministri është se ai nuk ka asnjë lidhje me bukuritë natyrore, me Gjirin e Vlorës, në fund të fundit, as me detin.

Me një numër të madh vendimesh të mbrapshta brenda një kohe të shkurtër: miratimin e 8 fabrikave të çimentos midis Fushë-Krujës e Shkodrës, ringritjen e Parkut të Naftës së Fatos Nanos në dyert e Vlorës, të cilin bëri njëherë sikur e anulloi, me miratimin e TEC-ve me qymyrguri për Greqinë e Italinë në bregdetin shqiptar, me dhënien e licencave për 400 hidrocentralë, me këmbënguljen për të ngritur centralë bërthamorë në Shqipërinë teknologjikisht e ekologjikisht primitive, me miratimin e fabrikës së vdekjes së Gërdecit midis Tiranës e Durrësit, kryeministri Berisha do të hyjë në histori si kryeministri më i rrezikshëm ndaj mjedisit shqiptar.

Së fundi, Kryeministri në Vlorë tha: “Pse s’janë këtu aleancistët duke protestuar kundër meje?”. Mund të përgjigjemi se për këtë ka 3 arsye:

- AQMGJV është një organizatë Joqeveritare, jofitimprurëse. Ky është një dallim shumë i madh nga një Kryeministër qeveritar fitimprurës, sidomos i tillë, që e nxjerr fitimin nga falja e bregdetit e deri te tregtitë e mëdha ndërkombëtare me stoqet kineze të Shqipërisë. Na mungojnë fonde për të bërë protesta të mëdha në mes të verës. Por e sigurojmë Kryeministrin, se me atë urrejtje që ka ngjallur dalëngadalë në Vlorë, protesta e radhës do të jetë krejt pa shpenzime.

- Zoti Kryeministër na erdhi në Vlorë krejt papritur, në pik të sezonit, kur shumë nga aleancistët, edhe nga ata që ai ka dhënë urdhër t’i burgosin e t’u hapin gjyqe, po pushojnë me familjen e tyre; dhe e fundit, që e shpjegon edhe këtë të dytën:

- Vërtetë e meriton një vizitë e tillë, e një personi të tillë, protestën qytetare?*Shënimi është një letër e hapur e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, dërguar në redaksinë e Letrave dhe Komenteve pranë Shekullit si përgjigje ndaj deklarimeve të kryeministrit gjatë vizitës në qytetin e Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›