Një peshk ton shitet në Japoni për 1.7 milion dollarë
Një peshk i vetëm ton është shitur në Japoni për çmimin rekord 1.7 milion dollarë. Kjo shumë është sa trefishi i rekordit të vitit të shkuar.
Sipas BBC, ofertat e larta bëhen në fillim të vitit në një ankand që zhvillohet në tregun e peshkut Tsukiji në Tokio.
Edhe blerësi, rrjeti i sushit Kiyoshi, që pati vendosur rekordin edhe një vit më parë, tha se çmimi ishte paksa i lartë.
Shitja vjen në një moment kur ambientalistët kanë ngritur zërin duke thënë se peshku ton po shkon drejt zhdukjes.
Peshku është kapur në verilindje të Japonisë dhe peshon 222 kilogram, 47 më pak se peshku i vitit të kaluar.
Por çmimi nuk reflekton madhësinë e peshkut, por më shumë lidhet me publicitetin që bëhet.
Blerësi tha se në këtë mënyrë inkurajohet biznesi i tij, por edhe bizneset kudo në Japoni.
Në këtë mënyrë një kilogram peshk ka kushtuar 7.600 dollarë.