Një profil psikologjik për Viktor Gushin
DENADA TOÇE
Nga uria e nevojave të munguara në fëmijëri, te mungesa e dhimbjes për tjetrin.
E ngacmuar nga qetësia vrastare e rrëfimit të Viktor Gushit rreth krimeve të tij, kapërceva në reflektime që më siguronin deduksione në raport me epërsitë dhe limitet psikologjike që prekin sjelljen e njeriut. Nuk po gjeja një arsyetim të qartë ndërsa shikoja vetëm një të dhënë të dukshme: vështirësinë për të kursyer jetën e tjetrit. Nuk është e thjeshtë të flasësh në emër të sjelljes së dikujt, qoftë ky edhe një kriminel, le më pastaj të guxosh ta analizosh atë. Thjesht dua të provoj të hedh një hipotezë për ta ngrysur rehat besimin tim se shoqëria jonë e ka pjekurinë dhe maturinë të përballet me figura, të mira apo jo, që janë pjesë e puzzel-it tonë social. Jo një gjykim i personalizuar, por një hipotezë e profilizuar.
Nuk mund të isha indiferente ndaj dëshmisë së ftohtë të sjelljes së Gushit, e cila – e pakta – të lë me gojë hapur. Në tavolinat e kafesë, në zyrat e ftohta të mëngjesit që ende nuk kanë marrë vrapin e punës, pranë kioskave të gazetave ende me erën tipike të letrës së shtypit, ndjeva frymën dhe pashë fytyrën e impresionuar të njerëzve nga ngjarja e ditës: Çështja e Viktor Gushit, jo vetëm një histori urbane apo një mit i së premtes, por tragjikisht më thjesht se kaq, një individ shumë pranë së përditshmes sonë që vrau punonjësen e një banke, gruan dhe nënën e dy fëmijëve. Të paktën këto janë fjalët e pohuara nga ai vetë dhe duket sikur faktet përputhen me pohimet e tij.
Çfarë pamje ka Viktor Gushi në këndvështrimin hipotetik të një analize psikologjike. Shpresojë të mos keni dashur të shikoni brirët e demit për ta dalluar se ai, Viktor Gushi, është ndryshe nga të gjithë NE. Po, ai është ndryshe, por kështu jemi edhe NE. Atëherë kjo e bën shumë më të vështirë dhe të pasigurt shoqërinë. Nëse është kështu, atëherë më duhet të shtroj disa pyetje për të kuptuar më mirë:
Çfarë do të thotë të rrëfesh qetësisht krimet sikur tregon historinë e një personi tjetër? Nga një vëzhgim dhe analizë e thjeshtë e personazhit duket sikur procesi ambientim ka kohë që ka zënë shtrat. Qetësia dhe qartësia e rrëfimit të lë të mendosh se kemi të bëjmë me një të kaluar, jo thjesht me ngjarje spontane si pasojë e rrethanave të vështira të personit, por me dinamika problemesh, në thelb, të jetës familjare e sociale të tij. Guxoj të them se zanafilla e këtyre sjelljeve është më e hershme në jetën e Viktor Gushit. Viti 2008 duket sikur nuk është zanafilla e datimit të veprimeve joligjore. Ndoshta hipotekisht, por pa e lënë të bjerë në mister urban, jeta e tij gjatë fëmijërisë për urinë e nevojave të munguara, për dhimbjen egocentrike deri në mungesën e perceptimit të dhimbjes së tjetrit. Pikat ku e kaluara bashkohet me të tashmen e bën sjelljen e individit më të lexueshme dhe, si pasojë, më pak të mistershme.
Fillova pastaj ta shikoj kështu: duke mos pasur pika referimi ku mbështesin personalitetin e tij, duket se është ndërtuar një moto: do tia dal. Në këtë rast zë vend fraza: Qëllimi justifikon mjetin!. Në suksesin e kësaj motoje, përligjen shumë sjellje të papërshtatshme, të cilat sjellin shpeshherë këtë gjakftohtësi patologjike.
Si mund ti kuptojmë pohimet e Gushit, që duket sikur ironikisht ka një interpretim patologjikisht racional për krimet e kryera, një zgjidhje në logjikën e asaj që duket si alternativa e vetme e mundshme: i thashë të mos lëvizë, po ajo u çua nga kolltuku dhe unë e qëllova; ajo më fyeu, më tha maskara dhe unë e qëllova; i futa pistoletën në gojë dhe e qëllova sepse më ofendoi; e qëllova sepse po vonohej dhe po më ikte 3-minutshi; po, kam kryer grabitje si në Shqipëri, ashtu dhe në Greqi. Më duhet të jetoja. Nuk kisha me çfarë të merresha dhe me çfarë të paguaja qiranë? A thua edhe vrasjet, plagosjet apo krime të tjera të mundshme mjaftohen të ndodhin nga shkaqe kaq naive si ndjeshmëria ndaj fyerjeve?! Më vjen ndër mend klisheja e komenteve të kronikave në media: U vra për shkaqe banale. Ndoshta! Por ndoshta, sërish në emër të këtij reflektimi hipotetik, dëshpërimi i mungesës së vëmendjes dhe dashurisë në jetën e tij është refuzimi më i madh fyes që mund ti jetë kanosur? Andaj dhe hasim në këtë rast, se vetëm një kundërshti dhe një fyerje do të mjaftonte për të prekur sedrën vulnerabël të Gushit! Mirë apo keq, nuk mund të prekësh kaq thjesht identitetin që tashmë e personifikon Gushin suksesshëm në stilin e jetës që vetë AI e ka ndërtuar. Sigurisht që ai nuk është një maskara, është thjesht dikush në nevojë për të siguruar bukën e gojës, edhe pse një kos dhe pak bukë do të mjaftonte. Ndër të tjera, lojërat e fatit nuk mjaftojnë asnjëherë për të ushqyer apo ngopur varësinë patologjike që ato krijojnë.
Ne si shoqëri, ndodh të justifikohemi brenda nesh dhe me element rastësor, por unë do tju ftoja të reflektonit në element më konkret ku u japim domethënie sjelljeve tona.
Çfarë domethënie ka ti besosh një dite të javës në fatin e saj dhe ndërkohë të studiosh me aq vëmendje vendin ku planifikon të vjedhësh? Të kënaqesh në shoqërinë e vetes dhe të paguash për intimitet? Të gjitha këto sjellje më tundojnë ti jap një këndvështrim të vlerësimit psikologjik, duke iu referuar karakteristikave të personalitetit të personit në fjalë: Viktor Gushi duket të jetë shumë pranë profilit psikologjik të një individi me vështirësi në personalitetin e tij, elementë të dukshëm të personalitetit antisocial, të cilat po i përmend nxitimthi si vijojnë: organizimi i mëparshëm për të kryer një vepër penale duke e zgjedhur dhe studiuar vendin. Zakonisht krimi është i parashikuar. Vështirësi për të mbajtur një marrëdhënie intime. Dhunë dhe agresivitet ndaj personave të dashur ose jo. Dëshira për të qëndruar vetëm në të shumtën e rasteve. Vështirësi për të ndjekur rregullatorët e vendosur nga shoqëria, impulsivitet i tepruar dhe mashtrim i vazhdueshëm. Aktivitetet kriminale fillojnë që përpara moshës 15 vjeç. Të gjitha këto janë të lidhura me tendenca impulsive, shpërthime emocionale dhe përfshirja në vepra penale në mënyrë të vazhduar. Kanë vështirësi për të vendosur marrëdhënie të drejta me shoqërinë. Mospërfillje për sigurinë e vetes apo të tjerëve. Papërgjegjshmëri permanente, dështim për të siguruar të ardhura financiare në rrugë të drejtë pune dhe për ti mirëmbajtur të ardhurat financiare. Cektësi emocionale është një tjetër tipar. Emocione të përkohshme dhe jetëshkurtra, që i bën të vështirë të krijojnë marrëdhënie afatgjata intime me të tjerë, me partnerë të mundshëm. Andaj dhe në të shumtën e rasteve lidhjet e tyre intime dështojnë. Duket sikur Viktor Gushi dhe shumë Gusha të tjerë nuk gjejë shumë pika referimi në shoqërinë ku janë destinuar të evoluojnë.
Fundja, qëllimi i kësaj analize nuk është tju sjellë edhe një eko tjetër shokuese mediatike mbi historinë e V. Gushit. Përkundrazi, thjesht amortizimin e saj duke mos ia lënë rastësisë habitore, por e sjellë te dera e shtëpisë së shoqërisë shqiptare si një histori e zakonshme në botën e krimit, ku ka mjaft shpjegime të pse-ve. Le të mos ia lëmë edhe këtë peshë ksenocetrizmit tonë, por besimit se jemi një shoqëri me shumë dinamika dhe me prirje të mira.