E Martë, 3 Nëntor 2026

Një shqiptar drejt Parlamentit Europian, Muharrem Salihu për RTSH: Ja vizioni për të ardhmen

Muharrem Salihu është sipërmarrësi shqiptar që kandidon për Parlamentin Europian.

Në lidhje të drejtpërdrejtë nga Italia me emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, Muharrem Salihu, i lindur në Luginën e Preshevës, kandidat në siglën e koalicionit ”Stati Uniti d’ Europa”, u shpreh se është lindur në Medvegjë dhe është babai i pesë fëmijëve.

“Në vitin 1986 na është imponuar emigrimi dhe larguam për në Zvicër. Në vitet 90’ jetojmë dhe punojmë në Itali duke ndarë jetën mes Italisë dhe vendlindjes. Gjithëmonë aktivist për mbrojtjen e lirive dhe të drejtat e njeriut në jug të Serbisë,” rrëfen ai.

Si një sipërmarrës i suksesshëm i disa restoranteve e hoteleve në Venecia, Salihu shpjegoi për RTSH platformën e tij politike dhe vizionin e tij për të ardhmen, duke njohur edhe kërkesat e nevojat specifike të komunitetit shqiptar.

Si një nga synimet e tij politike është heqja e vetos së anëtarëve të BE-së, që “po rrezikon politikat dhe funksionimin e BE-së”.

Duke shpresuar në fitore, Salihu tha se fillimisht duhet të angazhohet për ndryshimin e rregullave ekzistuese në BE që ka të bëjë me heqjen e të drejtës së vetos sepse kjo po mban peng funksioni e bashkësisë evropiane. 

“Kjo po vë në pikëpyetje dhe funksionimin e shumë sferave në jetën tonë duke filluar nga siguria që është më e domosdoshme që kurrë më parë”.

Kandidimi për Parlamentin Evropian, tregon Salihu, e bën krenar jo vetëm në planin personal.

“Shqiptarët tashmë kanë ecur duke u bërë punëdhënës duke u kthyer në atë që quhet shtresë e mesme sepse kanë arritur të jenë të suksesshëm në çdo fushë të jetë, biznese, arsim, shkencë, etj. Jemi në hap me kohën dhe si çdo arritje në këtë përditshmëri mendoj që jemi të barabartë për të qenë dhe pjesë e politikës në vendet ku jetojmë. Tendenca të tilla ka pasur para meje dhe ka , dhe sa vjen shqiptarët janë kudo pjesë e këshillave komunal apo rajonale. Mendova qe zgjedhja e problemeve që kanë sot bashkëkombësit tanë të zgjidhet në nivel më të larta nga ku jetojë unë”.

Si kandidat për Parlamentin e BE-së, kandidati shqiptar theksoi se, “mendoj që janë zgjedhjet më të rëndësishme në BE. Është një proces i vështirë por i domosdoshëm. Duhet të eliminohet unanimiteti në BE sepse gjithmonë do të jetë dikush që do vendosi në pikëpyetje segmentet e funksionimit të shoqërisë.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›