Një vendim në Apel deri në 7 vjet, Kosteri: Pritjet e gjata dhe kostot dekurajojnë ankimimin e vendimeve

Harta e re gjyqësore vijon të krijojë vështirësi për qytetarët që kanë çështje në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Numri i madh i dosjeve ka sjellë pritje të gjatë për shqyrtimin e tyre.
Kryetari i dhomës së avokatisë Shkodër Anton Kosteri thotë se vonesat dhe udhëtimi drejt Tiranës krijojnë kosto shtesë për qytetarët.
“Për të marrë një vendim në gjykatën e apelit. Pra, pasi përfundon procesi në shkallë të parë, një numër i konsiderueshëm i proceseve gjyqësore, i vendimeve të gjykatave të shkallës së parë ankimohen në gjykatën e apelit dhe dihet që vendimi i gjykatës së apelit është vendimi i ekzekutueshëm, vendimi i formës prerë të cilin mund ta paraqesësh me pas në një institucion shtetëror për të ekzekutuar të drejtën e pretenduar. Të gjitha thuajse ankimohen në gjykatat e apelit dhe për të marrë një vendim në gjykatën e apelit duhet prit minimumi pesë, gjashtë apo shtatë vite”, thotë Kosteri.
Sipas Kosterit, harta gjyqësore ka ndikuar edhe në dekurajimin e qytetarëve për të apeluar vendimet e shkallës së parë për shkak të kohës dhe kostove që kërkon ndjekja e procesit.
“Harta gjyqësore ka dëmtuar më shumë qytetarin, i ka dekurajuar këta qytetarë për të për të shkuar në gjykatë dhe për të kërkuar drejtësinë e tyre të mohuar dhe të cenuar nga veprimet administrative të shtetit apo veprimet konkrete të individëve të caktuar. Ndaj vetëm për të marrë një proces gjyqësor, për të marrë një vendim gjyqësor dhe për të përfunduar një proces gjyqësor të plotë, për ta marrë këtë vendim të formës prerë, duhet të presësh ndoshta edhe 10 vite” apelon ai.
Avokatët kërkojnë që qytetarëve t’u lehtësohet aksesi në drejtësi dhe shqyrtimi i çështjeve të bëhet në një kohë më të shkurtër.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/