Një vit nga arrestimi, studiot ligjore Kasowitz dhe Mishcon de Reya: U mbajt i ndaluar edhe pse s’ka prova se ai përbën rrezik arratisjeje

Teksa sot shënohet një vit nga arrestimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), avokatët e tij ndërkombëtarë, firmat Kasowitz dhe Mishcon de Reya, kanë reaguar duke pretenduar sërish se Veliaj po përballet me mohim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, duke e cilësuar dënimin e tij si persekutim të qartë politik.
Avokatët pretendojnë se Veliaj është mbajtur në paraburgim pa prova që të tregojnë se mund të arratisej, të pengonte drejtësinë apo të kryente sërish krimet për të cilat akuzohet.
Sipas avokatëve, gjatë periudhës shkurt–korrik të vitit të kaluar, Veliaj u mbajt i ndaluar pa asnjë akuzë formale, ndërsa në shtator u përdor situata për të kërkuar shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, një manovër që synonte të hiqte të drejtën e qytetarëve për ta përfaqësuar.
“Që nga dita e parë, kjo çështje ka qenë një persekutim politik i shoqëruar me abuzime skandaloze të procesit të rregullt ligjor. Sot shënohet një vit i plotë i kësaj padrejtësie të vazhdueshme,” tha Daniel J. Fetterman, partner në firmën ligjore Kasowitz dhe një nga këshilltarët ndërkombëtarë të Kryebashkiakut Veliaj.
“Çështja e Kryebashkiakut Veliaj i ka të gjitha shenjat dalluese të një gjyqi-spektakël politik dhe trajtimi i tij bie shumë poshtë çdo standardi të pranueshëm amerikan dhe europian të drejtësisë, procesi të rregullt ligjor dhe drejtësisë”, pretendon ai.
Avokatët e Veliajt kërkojnë lirimin e menjëhershëm dhe përfundimin e paraburgimit, duke theksuar se vazhdimi i këtij trajtimi është shkelje e të drejtave themelore.
“Paraburgimi i Kryebashkiakut Veliaj duhet të përfundojë. Vazhdimi i mbajtjes së Kryebashkiakut Veliaj në paraburgim dhe mohimi i të drejtave themelore të procesit të rregullt ligjor – si mundësia për të shqyrtuar provat kundër tij – tradhton premtimin demokratik të Shqipërisë, hedh dyshime serioze mbi përparimin e reformave të saj dhe mund të vërë në rrezik synimet e saj për anëtarësim në BE”, thonë ata.