Një vlerësim e mirënjohje e merituar
Në 19-20 korrik 2011, nën kujdesin e zëvendëskryeministrit Pacolli, u organizua vizita e ish-presidentit kroat, Stipe Mesiç, në Prishtinë. Ishte një pritje sa vëllazërore, po aq dhe dinjitoze. Gjatë asaj vizite dyditore, populli i Kosovës dhe klasa politike shqiptare shprehu mirënjohjen e saj ndaj njërit prej mbështetësve e miqve të popullsisë shqiptare në ish- Jugosllavi, por dhe figurave më të rëndësishme të tranzicionit demokratik kroat. Krahas takimeve zyrtare apo takimeve me miq e shokë, gjatë vizitës u bë dhe promovimi i ditarit të Mesiç-it: Si është shkatërruar Jugosllavia?, të botuar në gjuhën shqipe më 2006-n. Për arsye të sallës dhe kohës së shkurtër në dispozicion, personalitetet që morën fjalën në këtë promovim u ndalën më tepër në ndonjë vlerësim personal, sesa në analizën konkrete të librit. Në rreshtat e mëposhtëm, lexuesi i interesuar mund të gjejë disa nga
vlerësimet e mia mbi librin…
* * *
Për të ndjekur më mirë memuaret apo ditarin e presidentit Stipe Mesiç, të botuar në shqip me titullin Si është shkatërruar Jugosllavia?, duhen konsideruar edhe disa veçori të personalitetit të autorit, të shpalosura që në rininë e tij të hershme. Që në atë kohë, ai shquhej për reagimin ndaj padrejtësisë; kështu, p.sh., si gjykatës vendor ai denoncoi publikisht politikanët që po shfrytëzonin për qëllime private mjetet shtetërore. Pas këtij incidenti me këtë lloj politike lokale, më 1964-n, ai largohet për në Zagreb, për të punuar si menaxher në kompaninë Univerzal. Në vitin 1966, ai kandidon si i pavarur në zgjedhjet vendore për kryetar bashkie të Orahovicës, duke mundur dy kandidatët e tjerë (të PK-së dhe Unionit socialist të Popullit Punonjës). Kurse, më 1967, ai nis karrierën politike të përfaqësuesit të popullit në Parlamentin e Republikën Socialiste të Kroacisë. Vlen të theksohet se Stipe Mesiç që në atë kohë shquhet për pikëpamje liberale politike e ekonomike. Madje, ai, si kryebashkiak, nxiti nismën për hapjen e një fabrike private (të parën në ish-Jugosllavinë e Titos), edhe pse ajo me Kushtetutën e kohës konsiderohej jo ligjore. Vetë Tito, në atë kohë, iu kundërvu ashpër kësaj iniciative kapitaliste. Ndërsa, ndryshe nga reagimi i parë federalist i vitit 1967, në fillim të viteve 70-të, Mesiç-i u bë një nga ithtarët e pranverës kroate (një lëvizje nacionaliste kroate, që propagandonte barazinë ekonomike, politike dhe kulturore në federatë). Për propagandën armiqësore në gjirin e saj, ai u dënua fillimisht me 20 vjet burg dhe, pas apelimit më 1975, me një vit burg në Stara Gradishka…
Pikërisht, ky rebelizëm ndaj padrejtësisë dhe autokracisë e shoqëroi jetën e Mesiçit në të gjithë veprimtarinë e vet politike-institucionale. Për më tepër, duke qenë një nga lojtarët kryesorë të tranzicionit kroat (politik, ekonomik, social, diplomatik dhe atij të identitetit); mbi të gjitha, gjatë dy mandateve si
President i Kroacisë, ai i dha një frymëmarrje të fuqishme proceseve demokratike e integruese vendore, rajonale dhe euroatlantike…
Parë edhe në këtë optikë, leximi i librit të tij është me mjaft vlerë për politologët dhe shtetarët ballkanikë. Kjo, e lidhur ngushtë dhe me faktin që presidenti Mesiç, në fillimet e procesit të shpërbërjes, copëtimit apo zbërthimit eksploziv të Jugosllavisë, ka qenë një nga figurat më të larta të hierarkisë politike të Kroacisë dhe Federatës. Kështu, në periudhën
maj-gusht 1990, pas zgjedhjeve të para pluraliste ai u emërua kryeministër i parë i Republikës së Kroacisë. Më 25 gusht të po atij viti, me vendim të Kuvendit të Republikës së Kroacisë, bëhet anëtar i Kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe gati një vit më vonë, për afro 6 muaj (me gjithë kundërvëniet e njëpasnjëshme të politikës serbe) dhe Kryetar i Kryesisë së RSFJ-së. Midis viteve 1992-1994 kryen detyrën e Kryetarit të
Parlamentit të Kroacisë, kurse më 7 shkurt 2000 zgjidhet President i Kroacisë, detyrë në të cilën rizgjidhet dhe në 16 janar 2005…
***
Me fakte e analiza, mbështetur dhe në përjetimin e tij personal, në libër jepen të gjitha ato shkaqe të shpërbërjes së Jugosllavisë, që në dritën e sotme janë mjaft kuptimplota, interesante e intriguese. Po ashtu, ato janë po aq bindëse e dëshmuese të personalitetit të autorit, të forcës vepruese e parashikuese të
tij. E tillë është analiza dhe manovrimi i Mesiçit, për të kapërcyer pengesat e krijuara nga Millosheviçi e grupi i tij në marrjen prej tij të detyrës së Kryetarit të Kryesisë (si kundërvënie ndaj qëndrimeve të tij demokratike
e liberale mbi barazinë federative e qytetare, për të cilat gjithashtu ishte burgosur vite më parë). Në fakt, rotacioni në nivel kryetari federate ishte sipas një rregulli apo kalendari të caktuar; dhe, në këtë kuptim, më 15
maj 1991, ishte ai që duhej të fillonte në mënyrë automatike atë detyrë. Por, në kundërshtim me praktikën e deriatëhershme dhe rregullat kushtetuese, Serbia imponoi një proces votimi. Në atë proces, Serbia dhe provincat e saj
votuan kundër, ndërsa përfaqësuesi i Malit të Zi abstenoi dhe, si pasojë, Mesiç-i nuk mori dot shumicën e votave të njësive federative. U desh presioni ndërkombëtar, pas Luftës së Dhjetë Ditëve në Slloveni, që të pranohej emërimi i tij edhe nga serbët. Pikërisht, në seancën e majit 1991, vetë autori u drejtohet të pranishmëve: …Deklaroj se me këtë obstruksion që vjen nga Republika e Serbisë është e qartë se është ajo që po shkatërron
Jugosllavinë dhe për këtë ajo duhet të mbajë të gjitha përgjegjësitë për të gjitha pasojat para opinionit vendës dhe botëror… (f. 35). Dhe kjo e
thënë në një kohë mjaft të vështirë, kur mbi të dhe në rrethin e tij ndihej kërcënimi i eliminimit fizik nga ideologët e Serbisë së Madhe dhe gjeneralët e Armatës Jugosllave, mbështetës fanatikë të kësaj ideologjie. Madje, në atë
periudhë, një ish-zëdhënës i Millosheviçit, kur u arrit të pengohej për pak kohë dalja e Mesiçit në krye të Kryesisë, siç kujton ky i fundit, deklaroi me një megalomani fyese se forcat demokratike (në fakt, çetnikët e Sheshelit apo
ata të Millosheviçit!) arritën dje të pengojnë që Stipe Mesiç, i cili ka premtuar se do të jetë presidenti i fundit i Jugosllavisë, që do të vijë në krye të Presidencës së RSFJ-së! (f. 41). Po në atë kohë dhe ushtria po largohej nga drejtimi civil institucional, kurse shtabi i komandës së lartë, siç e analizon vetë autori në libër, po futej gjithnjë e më shumë në skutat e zotit Millosheviç…
(f. 57).
***
Në libër, për procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, mjaft mirë dokumentohet e analizohet diplomacia ndërkombëtare, fillimisht me një efekt inercial të konsiderueshëm, më shpesh si ushtrim burokratik i parimit të veprimit minimal apo i ekuilibrave të paekuilibrueshëm. Janë, p.sh., karakteristike shprehjet e regjistruara në ditarin e Mesiç-it, mbi pozicionin fillestar italian e gjerman apo qëndrimi rus për ruajtje integriteti territorial të Jugosllavisë, qëndrimi amerikan kundër vendimeve të njëanshme për ndarje, që mund të shkaktojnë dhunë, apo, p.sh., dhe qëndrime të më të vegjëlve p.sh. të Suedisë, që shpallja e njëanshme nuk përbën arsye të mjaftueshme për njohje nga ana e Suedisë (f. 117). Dhe e gjithë kjo, duke harruar që në hierarkinë e parimeve ndërkombëtare parimi i vetëvendosjes
është shumë më i lartë se ai i integritetit territorial!…
Diku më vonë, me thellimin e gjakderdhjes në ish- Jugosllavi, janë mjaft të drejtpërdrejta e kuptimplote komentet e vlerësimet e thella politike të Mesiç-it. Kështu, ai, pas një fjale të mbajtur në Mynih, shkruan,: …Millosheviqin, si dikur Hitlerin, askush nuk mund të jetë në gjendje ta kënaqë. Millosheviqi dhe gjeneralët e tij shkojnë deri atje sa ti
