Njësia 2, Tiranë- Rama: 1.7 miliardë euro mbështetje për rritjen e pensioneve, paga minimale shkon në 700 euro, rritje e ndjeshme dhe për mjekët, mësuesit e ushtarakët

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një dëgjesë publike të zhvilluar në Njësinë 2 në Tiranë, ku prezantoi gjerësisht prioritetet e Buxhetit Kombëtar dhe atij të Tiranës. Në fokus të fjalës së tij ishte paketa e madhe e mbështetjes për pensionistët dhe rritja e pagave për sektorët kyç, pa prekur taksat.
Kryeministri Rama njoftoi se mbështetja për pensionistët do të zërë pjesën kryesore të financimit në këtë mandat të katërt qeverisës, duke shpallur një fond masiv.
“Mbështetja ekstra do të jetë 1.7 miliardë euro, të cilat janë ndarë në 4 vite dhe janë përcaktuar edhe në buxhetin afatmesëm,” tha Rama.
Bonusi i fundvitit dhe dyfishimi i rritjes së pensioneve
Rama konfirmoi se mbështetja për pensionistët do të fillojë menjëherë me bonusin e fundvitit, i cili do të jepet duke nisur nga fillimi i muajit Dhjetor 2025.
Nga ana tjetër, rritja reale e pensioneve fillon në Janar 2026 dhe do të vazhdojë të dyfishohet çdo Janar pasardhës.
“Synimi është që niveli mesatar i pensioneve të shkojë në atë të lartë në zonat urbane, dhe ai minimal të shkojë në mesatar në zonat rurale.”, tha kryeministri.
Rama sqaroi se kjo rritje është e ndryshme nga indeksimi vjetor.
“Indeksimi do të bëhet si çdo vit. Ai është masë shtesë që shkon në 50 milionë euro,” tha ai.
Paga minimale 700 euro
Një tjetër lajm i rëndësishëm ishte premtimi për rritjen e pagës minimale dhe asaj në sektorin publik dhe privat.
Sipas Kryeministrit, paga minimale do të rritet fillimisht në 500 euro, ndërsa brenda mandatit të katërt të qeverisë do të arrijë në 700 euro. Kjo rritje vlen si për sektorin publik, ashtu edhe për atë privat.
Rritje pagash janë parashikuar edhe për profesionistët kryesorë të sektorit publik: mësuesit, infermierët, mjekët dhe ushtarakët.
Paqe Fiskale dhe taksat zero
Rama theksoi se të gjitha këto rritje do të realizohen pa prekur dhe pa rritur asnjë taksë, duke synuar mbajtjen e Shqipërisë si vendin e vetëm në rajon që nuk ka tatim fitim për biznesin e vogël.
Për sipërmarrjen, u prezantua projekti i Paqes Fiskale për vitin 2026. Ky projekt do t’u ofrojë kompanive mundësinë të bien dakord me administratën tatimore për tatimin mbi fitimin dhe rritjen e të ardhurave, duke shmangur kontrollet e rregullta.
“Kështu do të shmangim kontrollet dhe do të vazhdojnë punën qetësisht dhe qeveria stabilitet në mbledhjen e të ardhurave,” theksoi Kryeministri, duke mbyllur fjalën me konstatimin se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka dhënë nota shumë pozitive për ekonominë shqiptare.
/rtsh.al/