E Hënë, 2 Nëntor 2026

Njësia lëvizëse e dhurimit të gjakut vijon misionin për të siguruar rezerva të mjaftueshme për pacientët

Njësia lëvizëse e dhurimit të gjakut ka vijuar këtë javë aktivitetin e saj në disa bashki të vendit, duke u ndalur në disa Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Tiranë, Elbasan dhe Pogradec.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila teksa ka publikuar pamje nga procesi ka bërë me dije se njësia lëvizëse e dhurimit të gjakut këtë javë ka ndaluar në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale duke zgjeruar kështu këtë nismë jetësore për të shpëtuar jetë.

Sipas Koçiut, “këtë javë këto njësi do të jenë në IEVP Peqin, Korçë, Durrës dhe Lezhë, duke vazhduar angazhimin për ndihmë ndaj atyre që kanë më shumë nevojë”.

“Një dhurim i vogël, një jetë e shpëtuar! Bëhu drita e shpresës për ata që kanë më shumë nevojë”, u shpreh ministrja Koçiu në postimin në rrjetet sociale.

Fushata e dhurimit të gjakut synon të sigurojë rezerva të mjaftueshme për pacientët që kanë nevojë për trajtim urgjent, duke përfshirë personat me sëmundje kronike dhe ata që i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.

Në Shqipëri ka nevojë për rreth 40,000 njësi gjaku në vit për të përmbushur kërkesat e pacientëve me sëmundje kronike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›