E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Njohja e viteve të punës para ’94, Gonxhja: Mbi 30 mijë përfitues

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja deklaroi sot se reforma e pensioneve të 2014-ës, më e thella e rezultativja që nga rënia e sistemit komunist, jo vetëm shpëtoi skemën nga falimenti, por krijoi mundësinë që pensionet e reja të ishin më të larta se ato të lidhura deri atëherë.

Ministri bëri të ditur se po ashtu me këtë reformë u vendos edhe pensioni social, që siguron një të ardhur për secilin qytetarë në moshën e tretë.

Ministri prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit projektligjin që i hap rrugë njohjes automatike të periudhës së vjetërsisë në punë, për efekt pensioni të punonjësve të ish-ndërmarrjeve bujqësore, ish-kooperativat bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore të para vitit 1994.

Nga ndryshimet ligjore përfitojnë të gjithë ata që kanë punuar në ish-ndërmarrjet bujqësore, ish-kooperativat bujqësore apo ish-ndërmarrjet shtetërore nga mosha 18 vjeç, deri në momentin kur janë shuar ish-kooperativat dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.

Sipas ministrit, parashikohet të përfitojnë rreth 30 mijë qytetarë.

“Jemi duke korrigjuar një padrejtësi historike dhe me aksionin kundër informalitetit në tregun e punës, jemi duke korrigjuar një tjetër padrejtësi që ndikon drejtpërdrejt te mirëqenia e 730 mijë pensionistëve,” tha ai.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›