E Hënë, 2 Nëntor 2026

Njohja nga Kenia dhe bisedimet për qeverinë e re të Kosovës, flet analisti Mentor Nazarko

Me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, KQZ-ja i hapi të enjten rrugën krijimit të institucioneve të reja pas negociatave ndërpartiake.

Një tjetër lajm i mirë së fundmi ishte edhe njohja e vendit nga Kenia, duke u bërë shteti i 118-të që njeh pavarësinë e shpallur nga Kosova në vitin 2008.

Analisti Mentor Nazarko tha se nëse dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi do të kishte ecur më shpejt përpara, çështja e njohjeve nuk do të ishte kurrfarë problemi.

“Është një zhvillim shumë i rëndësishëm i arritur në një kohë kur Kosova në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare ishte në momentin më të vështirë, me aktorët më të rëndësishëm të botës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian, ku aspiron të bëhet palë. Që prej njohjes nga Izraeli, Kosova nuk ka pasur asnjë njohje tjetër ndërkombëtare.

Duhet marrë parasysh që Kenia është një shtet shumë i rëndësishëm në Afrikë, i cili ka marrëdhënie shumë të mira me Perëndimin. Edhe pa pasur një dokument si ai që pamë, Kenia në njëfarë mënyre e ka njohur Kosovën. Presidenti kenian ka qenë tri herë në Kosovë në vizitë private. Ka qenë udhëheqja e Kosovës që e ka injoruar dhe nuk e ka takuar atë. Mendoj që këtë njohje e solli ekskluzivisht ish-presidenti dhe ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i cili ka një angazhim të madh në Afrikë në përgjithësi dhe në Kenie në veçanti, ku e lidhin marrëdhëniet ekonomike, por edhe ato personale me presidentin kenian,” u shpreh z. Nazarko.

Duke u ndalur te situata politike pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, kryeministri Kurti tani po shpreson të vijojë mandatin e tij të dytë përmes një koalicioni të ri.

Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit me 42,30 për qind të votave, duke i lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me 20,95 për qind dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 18,27 për qind.

“Në pikëpamjen e numrave ai mund ta bëjë qeverinë me secilën prej palëve. Parlamenti i Kosovës ka 10 deputetë nga partitë joshqiptare, 10 deputetë janë serbë dhe 100 të tjerë shqiptarë. Ai mund ta bënte koalicionin me një pjesë të grupit AAK-Nisma, partia e z. [Fatmir] Limaj, që ka shprehur interes me 3 deputetët e saj, dhe partitë joserbe, joshqiptare. Mund të shkojë në 61 deputetë. Do të ishte një shumicë e brishtë, por z. Kurti dy vitet e fundit ka qeverisur pothuajse pa shumicë.

Kosova pritet të ketë zgjedhjet lokale dhe duket sikur Vetëvendosja po synon të mbajë një situatë të papërcaktuar si kjo, një vazhdim të statukuosë që do të rriste aftësinë e Vetëvendosjes për të hyrë në pazare për zgjedhjet lokale. Si rregull, në Kosovë partitë bashkëpunojnë të gjitha kundër të gjithëve. Vetëvendosja mund të bënte pazare lokale edhe me PDK-në, edhe me LDK-në, edhe me serbët,” tha z. Nazarko.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›