Njukasëll mbështet Tonalin

Sandro Tonali po përballet me akuza të reja, për vënie bastesh edhe në Angli. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i klubit të Njukasëllit, i cili ka dalë në mbështetje të lojtarit të tij. Klubi anglez ka besim në pafajësinë e Tonalit dhe pret rikthimin e tij në fushë.
Një akuzë e re vjen për Sandro Tonalin, i cili sipas mediave angleze, ka vazhdur të vërë baste edhe në Britani. Por edhe pas këtij fronti të ri akuzash, futbollisti është i qetë sepse është i vetëdijshëm që procedura angleze është një veprim i domosdoshëm dhe i pashmangshëm pas vetëdeklarimit. Ai është i gatshëm të deklarojë çdo gjë përpara Federatës Angleze, kur mbi të gjitha ka mbështetjen e Newcastle, klubit me të cilin ka nënshkruar.
Menjëherë pas publikimit të akuzave të fundit, klubi anlgez konfirmoi edhe njëherë mbështetjen që i jep lojtarit të tij duke shprehur edhe besimin që ka te Tonali.
“Klubi është në dijeni të akuzës së re ndaj Sandro Tonalit në lidhje me shkeljet e pretenduara të rregullave të basteve në Angli. Ai është vënë në dispozicion të Federatës Angleze dhe do të tregojë të vërtetën. Sandro vazhdon të respektojë plotësisht hetimet dhe ka mbështetjen e plotë të klubit”, thuhet në deklaratën e klubit të Njukasëlit.
Stërvitje dhe në shtëpi, të ndërthurura me seancat me specialistin, profesor Gabriele Sani, që po e ndihmon të kapërcejë varësinë nga lojërat e fatit. Jeta e Sandro Tonalit pas skualifikimit përbëhet nga një përditshmëri e re që nuk do të ndikohet nga ngjarjet e fundit. Ish-futbollisti i Milanit po vazhdon procesin e rikuperimit në Angli.
Tonali është më mirë tani, ai e di që rruga është ende e gjatë, por është i bindur se më të keqen e ka lënë pas dhe se kur të fillojë të luajë sërish do të jetë një njeri i ri.