E Diel, 1 Nëntor 2026

Noka: PD nis protesta pa ndalim më 22 dhjetor, kërkuam ndjesë për firmat e Avokatit të Popullit

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi sot pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, se opozita do të nisë një cikël protestash pa ndalim, duke filluar nga e hëna, më 22 dhjetor, në orën 17:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Protesta e ditës së hënë do të jetë e para, sepse do të zhvillohen protesta pa ndalim. Do të vazhdojmë ciklin e protestave derisa qeveria teknike të trokasë në vendin tonë dhe t’i hapet rrugë zgjedhjeve të lira”, u shpreh Noka për mediet.

Duke folur për situatën politike dhe drejtësinë, Noka akuzoi kryeministrin Edi Rama për kapje totale të pushteteve.

“Në Shqipëri reforma në drejtësi ka vdekur. Edi Rama është drejtësia, është ekzekutivi, është media dhe legjislativi”, deklaroi ai, duke shtuar se “pa zgjedhje të lira, as demokracia dhe as pluralizmi nuk kanë kuptim”.

I pyetur lidhur me firmat e dhëna për Avokatin e Popullit, Noka tha se Partia Demokratike ka kërkuar ndjesë publike.

“Partia Demokratike, nëpërmjet kryetarit, ka kërkuar ndjesë publike. Ndjesa është ndaj demokratëve dhe qytetarëve për një gabim të bërë në një moment emocional”, theksoi ai, duke sqaruar se firmat janë tërhequr zyrtarisht më 2 dhjetor.

Në deklaratën e tij, sekretari i përgjithshëm i PD-së denoncoi edhe kërcënimet ndaj anëtarëve të kësaj force politike.

“Kemi informacione dhe ankesa nga Elbasani se Suel Çela ka telefonuar dhe ka kërcënuar demokratët që të mos merrnin pjesë në foltoren e Sali Berishës”, tha Noka.

Në përfundim, ai theksoi se kërkesa e vetme e opozitës mbetet dorëheqja e kryeministrit. “Dorëheqja e vetme që kërkohet sot në këtë vend është ajo e Edi Ramës. Asgjë tjetër nuk e stabilizon Shqipërinë”, përfundoi Noka.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›