E Shtunë, 31 Tetor 2026

Noka: Të rriten parametrat e luftës kundër krimit

Ai ishte sot në ceremoninë e betimit dhe të certifikimit të Kursit  të VII-të, të Patrullës  së Përgjithshme.

“Është një fazë e cila kërkon nga Policia e Shtetit forcimin e mëtejshëm të parametrave të rendit e sigurisë publike, rritjen e efiçencës edhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit. Në funksion të arritjes së këtyre parametrave, Qeveria Shqiptare, prej vitit 2005  e në vijim, është investuar në luftën pa kompromis ndaj krimit dhe paralelisht, në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, theksoi ai. 

Noka u shpreh se lufta ndaj krimit, është një luftë që s’ ka të ndalur. “Policia e Shtetit është struktura kryesore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, luftës kundër krimit, kontrollit e mbikëqyrjes së kufirit shtetëror dhe zbatimit të ligjit. Reformat e plota që janë kryer në këtë agjenci kanë bërë të mundur që sot të kemi një trupë profesionistësh, në shërbim të plotë ndaj komunitetit. Ju jeni anëtarët më të rinj të kësaj trupe. Ju do të jeni pjesë integrale e luftës kundër çdo krimi, personave të inkriminuar, luftës kundër korrupsionit, trafiqeve të paligjshme dhe lëndëve narkotike”, tha më tej.

Ministri i Brendshëm u shpreh se lufta me tolerancë zero ndaj krimit dhe aseteve kriminale e ka bërë Shqipërinë tashmë një vend të sigurt dhe faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. “Ju jeni gjenerata me e re, që po i bashkoheni kësaj trupe që dëshmon standardet dhe kapacitetet më të larta profesionale, konfrom parametrave të Bashkimit Europian, një tjetër shembull i qartë i hapave që ka bërë vendi ynë gjatë këtyre viteve të fundit. Por nuk duhet të harroni se, vetëm një efektiv policie, me ndërgjegje të lartë profesionale dhe mbi të gjitha, figurë të pastër morale, është garant ndaj kësaj lufte pa kompromis kundër krimit, garant për zbatimin e ligjit, goditës i paepur i korrupsionit, gjithmonë në shërbim të qytetarit”, shtoi. Në këtë kurs merrnin pjesë 193 punonjës policie, ku 95 prej te cilëve ishin vajza. /Start/

                                                                                             2012-09-11 17:19
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›