Noka alarmon Ambasadën Amerikane, Arvizu në Kukës

Qysh para nisjes së fushatës, nuk kishte dyshim se Flamur Noka, në pozicionin e dyfishtë, si ministër i brendshëm dhe si kandidat për deputet në Kukës, do të shkelte ligjin. Por, akuzat ndaj tij nuk janë thjesht për konflikt interesi. Dëshmitë nga Kukësi tregojnë indinjatë në lidhje me fushatën e egër që po bën numri një i PD-së për këtë qark, Flamur Noka.
Ministri i Rendit, të cilit iu besua sërish Kukësi me Hasin dhe Tropojën për të udhëhequr, jo vetëm fushatën për Partinë Demokratike, është kontestuar prej ditësh nga opozita, kryesisht nga krerë të LSI-së. Alarmi i opozitës ka vënë në lëvizje Ambasadorin e SHBA-së, Aleksandër Aevizu, i cili ka shkuar drejt e n? Kukës për të parë nga afër situatën mjaft të tensionuar, të krijuar nga njerëzit e Ministrit të Brendshëm. Por, përse është i acaruar ministri Noka me LSI-në? Në dy javët e fundit ka patur tre zhvillime krejtësisht të veçanta. Kalimi te LSI i kryebashkiakut të Kukësit, Hasan Halili, i cili u zgjodh nga Partia Demokratike në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, të cilit Ilir meta i dha personalisht teserën e partisë; shoqërimi dhe dhuna psikologjike ndaj kandidatit Qemal Elezi nga policia e Hasit; së fundi, vizita e djeshme e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, transmeton shekulli.
Akuzat e LSI-së së Kukësit
“Ministri i brendshëm ka sjellë në Kukës policinë dhe SHISH-in”, ky është fakti që denoncojnë krerët e LSI-së së këtij qarku. Sipas tyre, të gjitha veprimet e aktivistëve dhe të kandidatëve për deputetë të kësaj force politike janë të survejuar. Makina luksoze dhe njerëz të veshur me uniformë, por edhe civilë të cilët nuk njihen në zona, janë në mbështetje të kandidatit për deputet dhe ministrit të Brendshëm, Flamur Noka. Pohimet e aktivistëve të LSI-së tregojnë për presionin dhe gjuhën e ashpër që përdor Noka, jo vetëm nëpër takime me elektoratin e tij, por edhe me anë të njerëzve që ka afër tij. Rivali i tij në këto zgjedhje që përfaqëson LSI-në, Qemal Elezi, në një prononcim për “Shekullin”ka shpjeguar dje me detaje gjithë mënyrën e funksionimit të shtabit të Flamur Nokës dhe të njerëzve që kanë mbërritur në Kukës nga Tirana në mbështetje të tij. Elezi me një gjuhë mjaft të qetë tregon se është zhvilluar fushatë në Kukës edhe herë të tjera, por kësaj radhe gjuha është mjaft e ashpër dhe nuk e meriton qarku i Kukësit një betejë të tillë. Por, përfaqësuesit e LSI-së saktësojnë edhe shkakun që e ka detyruar ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, të ndërmarrë një hap të tillë, pasi, sipas tyre, në këto zgjedhje PD ka humbur shumë nga elektorati i saj dhe thuajse të gjithë i bashkohen LSI-së. Ky fakt bazohet edhe te lëvizja që kreu kryebashkiaku i Kukësit, Hasan Halili, pak ditë më parë, kur la PDnë dhe kaloi me LSI-në
Ambasadori Arvizu në Kukës
Pas denoncimit të disa akteve të njëpasnjëshme, të përplasjeve me policinë, ditën e djeshme në drejtim të Kukësit ka udhëtuar ambasadori i SHBA-ve, Alekasandër Arvizu. Takimin e parë Arvizu e ka rezervuar për studentët e universitetit dhe të rinjtë e Kukësit, ku pas përfundimit, ka dalë në një deklaratë për mediat. Mesazhi i dhënë për ta, në të vërtet është konceptimi thuajse amerikan për të drejtën që ka çdo qytetar për të hedhur votën dhe për tu treguar edhe i zgjuar me votën e tij. Mesazhi i ardhur nga Arvizu, që i është dedikuar të rinjve kuksianë, është një mesazh i munguar nga brenda vendit, ndonëse vota është për shqiptarët dhe Shqipërinë! Më pas Arvizu u prit edhe nga kreu i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili, i cili mësohet se e ka njohur Ambasadorin Amerikan me të gjithë situatën parazgjedhore në qarkun e Kukësit. Halili e ka njohur ambasadorin edhe me sulmet politike dhe presionet që po bëhen nga ministri Flamur Noka, i cili ka vënë në dispozicion të fushatës së PDsë njerëzit e Ministrisë së Brendshme.
Mesazhi i Arvizu-së
“Doja vetëm t’ju thoja se vizita ime sot në Kukës ka qenë e mrekullueshme. Sapo përfundova një takim me të rinj. Ata kishin pyetje shumë të mira dhe së bashku folëm për shumë gjëra, përfshirë dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Ashtu siç mund të pritej, kishte edhe pyetje mbi zgjedhjet. Mesazhi im thelbësor ishte i dyfishtë: unë u thashë që shpresoj që ata ta ushtrojnë të drejtën e votës dhe se shpresoj që të zgjedhin me zgjuarsi. Dhe u thashë që shpresoj të zgjidhni me zgjuarsi dhe vetë. Nëse jeni në moshë për të votuar dhe nëse jeni në moshë për të marrë vendimet tuaja; askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë për ju”.
Kryebashkiaku mbron punonjësen e arrestuar
Fatos Tushe, kryebashkiaku i Lushnjës i del në krah punonjëses së tij që është arrestuar mbrëmjen e së hënës për mbajtjen e dokumenteve të identitetit qytetarëve. Akuza e policisë ndaj 59-vjeçares Oksana Liko ka indinjuar Tushen, i cili ka theksuar se nuk është kryer asnjë shkelje nga ana e punonjëses. Gruaja u ndalua pasi në zyrën e dhënies së ndihmës ekonomike u gjetën dhe u sekuestruan 185 karta identiteti të cilat mësohet se kishin nisur të grumbullohen që me 6 qershor.
Reagimi
“Lidhur me ngjarjen e ditës së hënë, që policia nuk ka nguruar ta quaj me emrin “Operacioni i Koduar Karta” për shkelje flagrante të ligjit apo kapje në flagrancë nga organet e policisë të punonjëses së administratës së Rajonit nr. 3, Bashkia Lushnje, sqaroj se ajo ishte duke ushtruar detyrën. Urdhri i nxjerrë nga ana ime ka të bëjë me kontrollin dhe ushtrimin e detyrës nga punonjësit e njësive administrative dhe konkretisht administratorët e shërbimit social, bazuar në legjislacionin e mësipërm, si dhe nisur nga disa konstatime të bëra nga punonjësit e këtyre shërbimeve për qytetarë që duan të përfitojnë nga ky shërbim në mënyrë abuzive, duke përfituar edhe nga situata para zgjedhore në vendin tonë. Thashethemnaja e stisur dy ditë më parë është e qëllimshme për të prishur imazhin e Institucionit të Bashkisë që është në shërbim të qytetarëve dhe aspak abuzim me dokumentet e tyre. Ky i ashtuquajturi abuzim nga ana e Institucionit të Bashkisë i ka djegur kartat pushtetit në ikje, i cili nuk nguron të vërë në shërbim të tij institucionet e varura dhe të pavarura për të njollosur dhe hedhur baltë mbi ata që punojnë çdo ditë dhe u shërbejnë qytetarëve duke zbatuar vetëm ligjin. Veprimet e këtyre institucioneve nuk do ta zbehin punën e Institucionit që unë drejtoi duke i shërbyer qytetit të Lushnjës dhe qytetarëve të tij me korrektësi në kohë dhe me etik. I bëj thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo presion i ardhur nga pushteti apo institucionet nën mbrojtjen e tij dhe të vazhdojnë jetën e tyre normale në qytetin e Lushnjës ku kemi zgjedhur të jetojmë e të punojmë së bashku”.
Noka, shtab elektoral me oficerë policie dhe të SHISH
Flet Qemal Elezi, numri 1 i LSI-së, në Kukës: Ministri survejon lëvizjet tona me njerëzit e tij Qemal Elezi është kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilit i është besuar drejtimi i fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit në qarkun e Kukësit. Për shkak të faktit se është i pari në listë, Elezi pohon se është edhe një prej kandidatëve më të sulmuar nga njerëzit Flamur Nokës me uniformë dhe civilë.
Elezi, nga Kukësi, e kryesisht nga LSI e këtij qarku prej disa ditësh janë publikuar të dhëna ku flitet se ministri Noka po ushtron presion ndaj mbështetësve të partisë suaj dhe ndaj jush personalisht? Si qëndron e vërteta?
Ministri Noka bashkë me njerëzit që e rrethojnë, duke qenë se është në garë, jo vetëm si numri një i PD-së, por edhe duke ardhur me pushtetin e të qenurit ministër i brendshëm, kanë në dispozicion mjete të gjithfarëllojshme. Atë e shoqërojnë makina luksoze të shumta, të cilat vijnë nga Tirana. Madje edhe njerëzit që shihen në to janë po nga Tirana. Ai ka mbështetjen e sektorëve të ndryshëm të policive, të cilët ndërhyjnë dhe veprojnë sa herë e shikojnë të mundshme.
Kur thoni sektor të ndryshëm policie, çfarë lini të kuptohet?
Sikur asgjë tjetër mos të shikoj dhe mos të njoh unë, i referohem rastit tim. Kur policia më kishte ndjekur dhe më ndaluan gjasme për të më bërë kontroll mjeti. Më shoqëruan në polici dhe përgjatë të gjithë kohës së veprimeve me mua, unë konstatova se u morën një sërë sektorësh, që nga policia e rendit dhe e krimeve e deri te sektori i krimit ekonomiko-financiar. Ishte dita që më shoqëruan me gjithë automjetin tim në Komisariatin e Krumës, ndërsa atje po më priste elektorati im. Mirë që mbetën njerëzit duke pritur mbi dy orë në sheshin e qytezës, por nuk më dhanë asnjë lloj motivacioni se pse duhej të mbahej makina ime. Aty pashë një sërë sektorësh që po merreshin me mua, ndërsa kur më lejuan të dilja, më thanë se makina ime ishte e rregullt dhe se nuk kishte patur brenda saj asnjë lloj sendi të paligjshëm.
Ju e keni denoncuar këtë rast?
Realisht kam denoncuar vetëm një punonjës policie i cili erdhi dhe më hyri me forcë në makinë. Quhet Kujtim Cahani dhe është emri i vetëm që kam paditur dhe kam bërë publik për atë rast.
Elezi thatë se Noka po bën presion me njerëzit e Ministrisë së Brendshme. Ku e mbështesni denoncimin tuaj publik?
Presionet janë të ndryshme. Kanë nisur të marrin të gjithë të rinjtë që po mbështesin lëvizjen tonë, të cilët janë të shumtë. I marrin në telefon dhe i kërcënojnë. Telefonatat bëhen pa numër dhe presioni lidhet vetëm me faktin e aktivizimit të tyre me LSI-në. Pastaj gjuha mjaft e ashpër me fyerje që përdor Noka nëpër të gjitha takimet e tij. Sigurisht mbështetje të forta ka policinë dhe njerëzit e shumtë që ka sjellë nga Tirana. Ne jemi të survejuar në çdo lëvizje tonën, identifikohen të gjithë njerëzit që vijnë në takimet tona, ndërsa thuajse shumicën e njerëzve që shoqërojnë Nokën ne nuk i njohim. Ata vijnë nga Tirana dhe janë, jo vetëm të Ministrisë së Brendshme, por edhe të SHISH.
Z. Elezi, ju mendoni se ndiqeni nga njerëz të SHISH? Ku e mbështesni këtë fakt?
E mbështes te fakti i njerëzve të panjohur që shquaj rreth vetes thuajse në çdo lëvizje. Edhe tani që flas me ju, përballë meje në një distancë pak të largët gjenden persona që ruajnë lëvizjet tona, pasi gjendem në zyrën e shtabit të LSI-së në qytet. Lëvizin me makina që ua ndryshojnë targat brenda dite disa herë, herë me targa Tirane, here me targa të huaja e herë me të reja.
Cili është apeli juaj në lidhje me elektoratin tuaj dhe rivalët?
Ne kemi zhvilluar edhe herë të tjera fushata dhe zgjedhje në qarkun e Kukësit. Asnjëherë herë më parë nuk ka qenë kaq e ashpër gjuha e përdorur. Nuk besoj se është e duhura për të shkuar në zgjedhje. Vërtet PD dhe Noka e kanë humbur popullaritetin që kanë patur, po kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht të fyesh dhe të shash nëpër takime me njerëzit dhe përkrahësit e tu kundërshtarin politik. Unë iu bëj thirrje të gjitha forcave politike të kryhet fushatë e ndershme dhe me tone qytetare se, së pari e meriton qarku i Kukësit dhe më pas e meritojmë edhe ne./Indeksonline/