Noka në “Foltore”: Të vazhdojmë betejën tonë në rrugën drejt integrimit në BE

TIRANË, 16 mars /ATSH/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot Foltoren e radhës para Kryeministrisë. Gjatë fjalës së tij, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 22 marsit.
Noka akuzoi qeverinë për korrupsion dhe përpjekje për të bllokuar drejtësinë. Ai theksoi para protestuesve dhe mbështetësve të opozitës, se korrupsioni në qeveri, sipas tij, ka përgjegjës direkt kryeministrin Edi Rama dhe se opozita do të vazhdojë betejën politike kundër asaj që ai e cilësoi si “narko-regjim”.
Gjithashtu ai shtoi se protesta e 22 marsit duhet të jetë një mobilizim i madh qytetar dhe një moment simbolik për ndryshimin politik në vend.
“Këtë fundjavë është 22 Marsi. Një ditë e madhe dhe e shënuar për demokracinë e këtij vendi. Është dita kur demokratët, kur shpirtrat e lirë, kur qytetarët e Tiranës, kur rinia studentore i dha goditje një regjimi po më të keq se ky, më të egër se ky dhe më gjakatar se ky regjim. Prandaj ju bëjmë thirrje sot të gjithëve të ndërgjegjësoheni. Rruga e vetme është të bashkoheni me opozitën.
“Opozita ka një mision. Partia Demokratike ka një mision. Jo thjesht pushtetin. Ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga rrokullisja ku ky po do ta çojë. Rruga e vetme është të vazhdojmë, të marrim pjesë në protestën e datës 22. Protesta e datës 22 duhet të jetë protesta nga më të mëdhatë që kemi zhvilluar ndonjëherë në historinë tonë, e cila duhet të japë një sinjal: fundosjen e narko-regjimit, siç e dha sinjal 22 Marsi i vitit ’92 për fundosjen përfundimisht të regjimit komunist. Tani pra, beteja është e jona dhe ne nuk ndalemi në këtë betejë”, tha ai.
E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, tubimi ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.