Normalizohet situata në qarkun e Gjirokastrës, por reshjet bllokojnë disa akse

Situata në qarkun e Gjirokastrës është normalizuar pas reshjeve me intensitet të lartë të dy ditëve të fundit në të gjithë rajonin jugor.
Sipas informacioneve të marra nga shtabet e emergjencave në të shtata bashkitë, shumica e problematikave që lidhen kryesisht me infrastrukturën dhe furnizimin me energji elektrike janë zgjidhur.
Akset rrugore janë të kalueshme në bashkinë e Këlcyrës, ndërkohë që edhe energjia elektrike nuk mungon.
Normalitetit i rikthehet dhe situata në bashkinë e Memaliajt, pas ndërhyrjeve në disa akse rurale nga punonjësit e shërbimeve publike.
Mbrëmjen e djeshme është kthyer energjia elektrike në njësinë administrative Buz, ndërkohë që ka ende bashki ku problematikat janë prezente, pavarësisht ndërhyrjeve nga grupet e emergjencës.
Në bashkinë e Libohovës, sipas kryetarit Leonard Hide, zona e Zagories është pothuajse e pakalueshme.
I bllokuar raportohet aksi rural Lliar–Zhej, ndërsa ai Hoshteve–Nivan i kalueshëm me vështirësi edhe nga fuoristradat. Problematika hasen edhe ne aksin Çajup–Sheper në vendin Hija e Mallkuar ku po prishet traseja e rrugës si shkak i intensitetit të reshjeve.
Bashkia e Dropullit vijon po ashtu të ketë problematika me furnizimin me energji elektrike. Ndërprerjet janë të shpeshta, por edhe me disa orë kohëzgjatje.
Ndërkohë dy segmente brenda rrugës së Pogonit janë pothuajse të pakalueshme. Bëhet fjalë për Poliçan–Sopik dhe Stacioni i Pyjores-Catiste.
Në bashkinë e Përmetit, problematika kryesore është ajo që lidhet me infrastrukturën rrugore të disa fshatrave në njësinë administrative Frashër.
Në Tepelenë puna është përqendruar për hapjen e plotë të rrugës Bënçë–Lekdush, ku në punë janë vendosur dy fadroma.
Pavarësisht intensitetit të reshjeve në qarkun e Gjirokastrës nuk janë konstatuar përmbytje të tokave bujqësore.
/rtsh.al/