E Diel, 1 Nëntor 2026

Nufi: Forcat Ajrore dhe strukturat e emergjencës vunë nën kontroll zjarret në Delvinë e Finiq

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi vlerësoi punën e pilotëve të Forcave Ajrore dhe të gjithë efektivëve të angazhuar në operacionin për izolimin dhe shuarjen e zjarreve në territorin e bashkive Delvinë dhe Finiq.

Përmes një reagimi sot në rrjetet sociale, Nufi bëri të ditur se ndërhyrja e njëkohshme e tre helikopterëve të Forcave Ajrore, në koordinim me strukturat e tjera operacionale, ka kontribuar në vënien nën kontroll të situatës.

“Punë e jashtëzakonshme e pilotëve të Forcave Ajrore me ndërhyrjen e 3 helikopterëve njëkohësisht dhe të gjithë efektivëve të angazhuar në izolimin dhe shuarjen e zjarrit në territorin e bashkive Delvinë dhe Finiq”, u shpreh Nufi.

Ai theksoi se operacioni u zhvillua nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe me angazhimin e Forcave të Armatosura, si dhe bashkëpunimin e strukturave vendore dhe qendrore.

“Çdo ndërhyrje, çdo fluturim, çdo minutë ka një mision: të mbrojmë jetën, banesat dhe natyrën”, deklaroi ai.

Nufi shprehu mirënjohje për pilotët, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë pjesëtarët e angazhuar në operacion, duke vlerësuar profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tyre në përballimin e situatës së zjarreve.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›