Nuk duan të lindin vajzë, abortojnë me raporte false
Foshnjet femra duket se vazhdojnë të jenë papëlqyera për shumë prindër e si pasojë e këtij mentaliteti të mbartur jo pak prej tyre janë të destinuara për tu selektuar ende pa ardhur në këtë botë. Tashmë mjafton një EKO e cila tregon qartë seksin e foshnjes dhe prindërit e kanë të lehtë të dinë nëse do iu vijë djali i shumë pritur apo vajzë e cila nuk duhet të vijë. Pak ditë më parë Këshilli i Evropës paraqiti një raport shumë problematik të selektimit të foshnjeve femra të disa vendeve ku bënte pjesë edhe vendi ynë. Por në fakt edhe vetë gjinekologët pohojnë se fatkeqësisht ende ekziston mentaliteti në vendin tonë se bebet meshkuj janë të preferuar ndërsa femrat për një kategori prindërish nuk i kanë për zemër kështu që ato janë të destinuara për tu abortuar. Gjinekologia pranë maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Vjollca Tare shpjegon për gazetën rreth këtij problemi në vendin tonë.
Kërkesat e prindërve për të ditur seksin e fëmijës gjatë shtatzanisë janë shumë të mëdha. Megjithatë veç kërkesës për të ditur seksin për kënaqësi është edhe ideja e një kategorie prindërish që duan ta heqin foshnjen. Kjo ndodh për foshnjet femra dhe është fenomen më i shprehur nga personat që janë nga veriu. Duhet të theksojmë se vitet e fundit Tirana është mbipopulluar me të ardhur por mentalitetin e tyre nuk e kanë lënë pas dhe kjo duket qartë në dëshirën e tyre për të pasur meshkuj e jo femra. Ka pasur raste dhe unë i di, që një femër ka abortuar deri në 3 herë se kishte foshnjën femër, pohon Vjollca Tare, duke shtuar se më parë nuk ekzistonte mundësia e të parit në eko seksi i fëmijës ndërsa sot kjo mundësi ekziston dhe jo në pak raste e përdorin për qëllim selektimin e foshnjës femër. Ndërkohë mjekja gjinekologe thekson se shumica e prindërve e shohin për kënaqësi seksin e foshnjes në eko, sidomos ata që i kanë fëmijë të parë plus kësaj prindërit sidomos nënat duan të përgatisin rrobat para lindjes. Por fatkeqësisht duhet të pranojmë se ka edhe nga ata prindër që e shfrytëzojnë për të abortuar beben femër, por kjo kategori për mendimin tim përbën jo më shumë se 20 për qind të prindërve që shohin bebet në eko, pohon gjinekologia Tare.
Ndërsa sa i takon pyetjes nëse duhet të ekzistojë një ligj që të mos i tregohet prindërve seksi i fëmijës gjinekologia thotë: Për mendimin tim kjo kërkon mekanizma të tjera sepse kështu do të penalizohen edhe prindërit që duan ta dinë seksin e foshnjës thjesht për kënaqësi,- thekson Tare. Për të zgjidhur këtë problem ajo theksoi se duhen mekanizmat të tjera dhe kjo duhet të fillojë me marrjen e masave që të mos lejohen klinikat private që të realizojnë abortin e bebes pa pasur ndonjë shkak si psh ndonjë sëmundje të trashëgueshme. Në këtë mënyrë ajo tregoi edhe rrugët ilegale që prindërit ndjekin për të abortuar foshnjën. Maternitetet publike nuk e lejojnë abortin e foshnjës për arsye të seksit, por ndodh shpesh që prindërit gjejnë raporte false sikur foshnja ka ndonjë sëmundje dhe e abortojnë. Kështu mendoj se shteti duhet të penalizojë ata që lëshojnë raporte false dhe klinikat private që realizojnë abortet,- thekson Vjollca Tare.
Rrëfime të aborteve nga një gjinekolog: Çifti e hoqi fëmijën, sepse ishte femër
Një nënë e re jo më shumë se 24-vjeçare po priste fëmijën e dytë. Babai i saj e quante fatkeqësi që fëmija i parë ishte vajzë kështu që dyti duhej të jetë më patjetër djalë në të kundërt familja e tij nuk do të ishte e plotësuar. Ky çift ishte nga veriu dhe lajmin se edhe fëmija i dytë ishte vajzë dukej se i hidhëroi shumë ata. Kërkuan ta abrotonin, por insistuam që fëmija i tyre ishte shëndoshë dhe nuk kishte asnjë arsye që të abortohej thjesht për faktin se ishte femër. Atëherë i thamë se ligji nuk e lejon abortin dhe se në maternitetin publik as nuk bëhej fjalë që të abortonte. Prindërit u mërzitën nga ky lajm, në fakt babai më shumë, dhe u larguan. Dy vite më vonë sërish sërish të njëjtit prindër erdhën për konsultë, sepse nëna e re ishte sërish shtatzënë. Kërkuan të ndjek shtatzëninë, sepse kësaj radhe ishte djalë dhe kishin vendosur ta sillnin në jetë. Ata nuk e dinin se unë i mbaja mend edhe pse më parë kisha pasur vetëm një bisedë me ta. I pyeta se çfarë bënë me beben femër që kishin para kësaj shtatzanie dhe në fakt nuk foli asnjëri nga prindërit, duke më lënë të nënkuptoj se e kishin abortuar.
Prindërit: Një shtëpi e fortë mbahet me meshkuj
Një shtëpi e fortë duhet të ketë meshkuj me patjetër. Shtëpia nuk mund të mbahet me femra madje kjo e fundit mund të sjellë vetëm probleme për familjen. Këto janë argumentet që përdorin më shumë prindërit sipas gjinekologëve kur duan të abortojnë foshnjën femër. Një nënë tregonte se edhe respekti ndaj saj do të ishte më i madh nëse do të lindte djalë. Madje ka edhe nga ata që fajësojnë femrën që lindi vajzë. Këto janë në 100% të rasteve familje që nuk janë intelektuale dhe zakonet e mentaliteti është parësore për ata.
BE: Abortet ndaj seksit femër, fenomen shqetësues
Seleksionimi i seksit para lindjes ka arritur përmasa shqetësuese në disa vende, veçanërisht në Shqipëri, Armeni, Azerbajxhan, ku shkalla është 112 djem me 100 vajza, por edhe Gjeorgji, me shkallën 111 djem për 100 vajza. Një Komitet i Këshillit të Europës ka përpiluar një rezolutë, që instrukton stafin mjekësor të mos e tregojë seksin e fetusit të bebeve, për ti parandaluar prindërit nga aborti seleksionues. Rezoluta, nëse miratohet në Parlamentin Europian, do të aplikohet në të 47 vendet anëtare, përfshirë Shqipërinë. Projekt-rezoluta e Këshillit të Europës, e miratuar nga Këshilli citon se Rezoluta kërkon një hetim mbi shkaqet asimetrike të shkallës së lindjeve në këto vende dhe thotë se seleksionimi prenatal i seksit duhet të lejohet vetëm me qëllim për të evituar sëmundje serioze trashëgimtare të lidhura me vetëm njërin seks. Por, rekomandimi i tyre është që të gjitha spitalet në 47 vendet nuk duhet tu thonë prindërve seksin e foshnjave, dhe kjo ka shkaktuar alarm. Rezoluta pritet të paraqitet në Parlamentin Europian për votim në muajin tetor. Kështu, mjekët dhe mamitë nuk do të lejohen tu thonë prindërve të ardhshëm, nëse bebja e tyre do të jetë vajzë apo djalë. Disa mjekë kanë shprehur shqetësim për këtë masë.
Rubena Moisiu, Drejtoresha e Maternitetit Koço Gliozheni: Ndalimi i parjes së seksit të foshnjës të jetë me ligj
Drejtoresha e Maternitetit Koço Gliozheni, Rubena Moisiu e ka mbështetur rezolutën e Këshillit të Evropës pasi ajo e pohon se foshnjet femra janë më pak të preferuara se foshnjet meshkuj. Duhet që edhe në Shqipëri të jetë një ligj, i cili të ndalojë nënat të shohin gjininë e fëmijës, për të mos ekzistuar abortimi nëse fëmija është femër. Sipas drejtoreshës së Spitalit Gjinekologjik, Koço Gliozheni, në Tiranë, Rubena Moisiu, projektiligji i ideuar nga Këshilli i Europës tregon, se jo vetëm Shqipëria, por edhe shtete të tjera kanë këtë fenomen, abortimin e fëmijës nëse rezulton femër, ky projektligj duhet të mirëpritet edhe në vendin tonë. Sipas mjekes gjinekologe, Rubena Moisiu gjatë një pyetësori që i janë bërë nënave pas abortit, ato kanë shpjeguar edhe arsyen, që ishte përveç gjendjes ekonomike, dhe gjinia e fëmijës që ishte femër. Vetëm në vitin 2010, në Spitalin Gjinekologjik, në Tiranë Koço Gliozheni, janë realizuar 470 aborte, ku tre janë shkaqet, gjendja ekonomike, fëmija me deformimi si dhe gjinia e fëmijës, e cila rezulton i seksit femër.
Shifrat shqetësuese
112 djem me 100 vajza është raporti i femra-meshkuj në disa vende si në në Shqipëri, Armeni, Azerbajxhan.
27
