E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nuk ka mbështetje për duhanin, fermerët në Roskovec: Kemi ulur shumë sipërfaqet e mbjella

Nga Ilmi Saliaj 

Novrus Kuka, banues në Kurjan të Roskovecit, prej 30 vitesh meret me kultivimin e duhanit.

66-vjecari ka vijuar këtë traditë pandërprerje, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat përballet.

Në 2009 ai kishte 9 ha sipërfaqe të mbjellë, ndërsa sot ka vetëm 2 ha.

Shkak kryesor mbetet mungesa e fuqisë punëtore dhe jo vetëm.

Ndërkohë nëntori është muaji i përgatitjes së duhanit për shitje.

“Prodhimi i sivjetshëm arrin në 3- 4 tonë,  ndërsa çmimi i shitjes është 5-6 mijë lekë peër kilogramë sipas cilësisë. Problem mbeten punëtorët, nuk gjejmë punëtorë që të meren më kultivimin e duhanit”, tha fermeri.

Fermeri thotë se përgjatë gjithë viteve të kultivimit të duhanit, mbështetja e shtetit ka munguar totalisht duke bërë që kjo kulturë të jetë tërësisht një iniciativë private.

Roskoveci është një zonë e njohur per kultivimin e duhanit.

Sipërfaqja e mbjellë me duhan në njësinë administrative Kurjan, para ndërrimit të sistemit arrinte në 200 ha.

Prodhimi shkonte deri në 3 mijë kuintal në vit me një cilësi maksimale dhe i gjithi dërgohej për eksport.

Ndonëse interesi nga fermerët e zonës nuk ka munguar, ata ndihen të pasigurt të investojnë në këtë fushë, pasi mbështetje nuk ka, ndërsa luhatjet e çmimeve bëjnë që fitimet të mos jenë të garantura./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›