“Nuk ka reaguar në mënyrë dinjitoze!”- Protesta studentore, biznesmeni shqiptaro-britanik Zenel Hoxha: Është kambanë alarmi për Ramën! Shqipëria është në autokraci
Aktivisti dhe biznesmeni shqiptaro-britanik, Zenel Hoxha, ka komentuar zhvillimet politike në Shqipëri dhe protestat studentore kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si një kambanë alarmi për pushtetin.

Hoxha u shpreh se, kur shumëkush mendonte se protesta po shuhej, studentët rikthyen vrullin e saj, duke e kthyer në një lëvizje që, sipas tij, duhet të dëgjohet nga kryeministri.
“Kur të gjithë menduan që protesta po shuhej, erdhi uragani studentor. Protesta është kambanë alarmi që duhet të dëgjohej nga kryeministri, i cili nuk ka reaguar në mënyrë dinjitoze që nga dita e parë”, deklaroi ai.
Aktivisti kritikoi qëndrimin e Ramës ndaj protestuesve, duke thënë se kryeministri duhet të kishte dëgjuar kërkesat e tyre, të cilat janë grumbulluar ndër vite.
Duke komentuar situatën aktuale, Hoxha u shpreh se protestat studentore mund të shënojnë fillimin e një faze të re për vendin, ndërsa shtoi se sot Shqipëria ndodhet në autokraci.
Zenel Hoxha: Kur të gjithë menduan që protesta po shuhej, erdhi uragani studentor. Protesta është kambanë alarmi që duhet të dëgjohej nga kryeministri, i cili nuk ka reaguar në mënyrë dinjitoze që nga dita e parë. Duhet të dëgjonte protestuesit dhe kërkesat e tyre të akumuluara në vite.
Rama erdhi me program ambicioz. Shumë e mbështetën për një Shqipëri demokratike, më afër Evropës. I dëgjoi këshillat e ndërkombëtarëve, por derisa erdhi në pushtet, i harroi ato. Nuk kishte progres, por përqendrim të pushtetit dhe harresë të shqiptarëve, duke u bazuar te fasada.
Çdo gjë ka një fund, por ky nuk është një fund, por një fillim i ri që do t’i ndodhë Shqipërisë nga kuraja e studentëve. Shqipëria tani, fatkeqësisht, është në autokraci. Protesta shërbeu si alarm për të bashkuar shqiptarët.