“Nuk kemi nevojë për Dubain”, Zenepe Lika: Zhvillimi i Plazhit të Madh në Mal të Zi është aneksim

Zenepe Lika, arkitekte dhe mbrojtëse e mjedisit në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, foli lidhur me projektin për Plazhin e Madh në Mal të Zi.
Lika kritikoi mënyrën si u shpall projekti për zhvillimin e tij dhe mungesën e transparencës nga ana e qeverisë malazeze.
“E kuptuam se çfarë interesi ishte pas. Qëllimi është që investitori të hyjë në një hapësirë. Bëhet fjalë për një marrëveshje jotransparente. Nuk ka pasur shqyrtime publike. Ne nuk kemi nevojë për Dubain. Ne jemi të njohur në nivel botëror sa i përket peizazheve dhe vizibilitetit. Kjo ka qenë diçka jo e kuptueshme dhe diskriminuese,” tha Lika.
“Çfarë problematikash mjedisore mund të sjellë projekti,” pyeti Oneda Skënderi.
“Këtu bëhet fjalë për një demaskim të një hapësire totale prej 20 km katrorë, që me ligjin e Malit të Zi është monument natyre. Me pyjet e pishat, kjo zonë ishte e mbrojtur që më 1968. Kjo ide e zhvillimit të Plazhit të Madh është aneksim dhe ka impakt jashtëzakonisht negativ. Në këtë marrëveshje nuk kemi asnjë lloj sigurie. Kush na siguron ne që paratë e [Mohamed] Alabbar, që investon, janë të pastra dhe nuk janë para korrupsioni. Nuk jemi kundër investimeve, jemi kundër anashkalimit të ligjeve të Malit të Zi. Nëse mendoni se Europa ka nevojë për investime që bëhen në Dubai, shtrohet pyetja a jemi në Europë apo jemi në Arabi?! Investitori vjen këtu me ide që nuk janë në përputhje me interesin e komunitetit lokal. Zhvillimi i Plazhit të Madh është aneksim. Këtu nuk bëhet fjalë për një marrëdhënie të mirëfilltë,” tha ajo.
/rtsh.al/