“Nuk pranojmë asnjë alternativë tjetër”/ Trump i vendosur: Na duhet Groenlanda

Nga Corriere Della Sera –
“Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare. NATO bëhet shumë më e fuqishme dhe më efektive me Groenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara. Çdo gjë më pak se kaq është e papranueshme.”
Këto janë fjalët e presidentit amerikan Donald Trump, të publikuara në rrjetin e tij social Truth, dhe janë të drejtpërdrejta.
Ato nuk duket se lënë shumë hapësirë manovrimi për samitin e parashikuar sot mes zëvendëspresidentit të tij JD Vance, sekretarit të Shtetit Marco Rubio, ministrit të Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen dhe homologes së tij groenlandeze Vivian Motzfeldt.
Groenlanda, shpjegon më tej Trump, “është jetike për Golden Dome që po ndërtojmë. NATO duhet të na hapë rrugën për ta marrë atë. Nëse nuk e bëjmë ne, do ta bëjnë Rusia ose Kina, dhe kjo nuk do të ndodhë!”.
Fjalë që rikthehen te pikat, siguria kombëtare dhe kërcënimi që paraqesin Rusia dhe Kina, të cilat presidenti amerikan i kishte ngritur edhe më parë, por që, të përsëritura në prag të takimit të sotëm, tingëllojnë si një sinjal shumë i qartë.
Presidenti amerikan e ka ashpërsuar edhe më tej tonin në rrjetin e tij Truth.
“NATO: thuajini Danimarkës t’i largojë që tani! Dy slitë me qen nuk mjaftojnë! Vetëm SHBA mund ta bëjë!”, ka shkruar Trump, duke iu referuar përpjekjeve të Rusisë dhe Kinës për të depërtuar në Groenlandë.
“Nuk i nënvlerësojmë deklaratat për Groenlandën, tha Macron, i cituar nga zëdhënësja e qeverisë Maud Bregeon, nëse sovraniteti i një vendi evropian dhe aleat shkelet, pasojat zinxhir do të ishin të paprecedenta. Franca po e ndjek situatën me vëmendjen maksimale dhe veprimi i saj do të jetë në solidaritet të plotë me Danimarkën dhe sovranitetin e saj.”
Po ashtu, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një deklaratë për shtyp në Bruksel tha: “Për mua është e rëndësishme që groenlandezët ta dinë se ne i respektojmë dëshirat dhe interesat e tyre dhe se mund të mbështeten tek ne.”
Ajo shtoi se Arktiku dhe siguria në atë zonë është një çështje që prek edhe Bashkimin Evropian.
“Groenlanda është pjesë e NATO-s dhe ne e dimë se NATO është forumi që bashkon interesat e ndryshme të aleatëve”, përfundoi ajo.
Fjalët e Trump, megjithatë, e ngushtojnë edhe më shumë hapësirën e manovrimit për negociatat.