E Martë, 3 Nëntor 2026

Nuk shkoi në Komisionin e Reformës Zgjedhore që u bllokua nga Rithemelimi, Alibeaj: Teatër me regji të Ramës

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, nuk ka qenë sot pjesë e mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, punimet e së cilës u bllokuan për shkak të “Rithemelimit”.

Në një deklaratë për media, Alibeaj ka garantuar se do të jetë pjesë e këtij komisioni, me qëllim garantimin e një reforme zgjedhore me lista të hapura, barazi vote, votim dhe numërim elektronik dhe votën e diasporës.

Ai ka akuzuar PS dhe “Rithemelimin” se po e mbajnë peng procesin e Reformës Zgjedhore.

“Sikundër e shohim qartë edhe ne bashkë me shqiptarët se PS dhe segmente të opozitës janë të interesuar ta mbajnë peng këtë proces. Të parët për te siguruar zgjatjen e pushtetit dhe të dytët duke bërë lojëra që lidhen me interesa personale.

Kryetarja e Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e procesit. E dimë shumë mirë që shfaqje të tilla të shëmtuara janë në funksion të pushtetit dhe kryeministrit. Por është po kaq e qartë që për këtë funksion Edi Rama përdor një palë që me bllokimet në Kuvend nuk ka arritur asgjë përveç të shtojë arrogancën dhe pushtetin e Edi Ramës”, tha Alibeaj, ndërsa e cilësoi bllokimin e mbledhjes  si një teatër për mbajtjen gjatë në pushtet të Kryeministrit Edi Rama.

Demokrati theksoi se proceset demokratike të vendit nuk mund të mbesin peng i disa njerëzve që vendosin interesat e tyre mbi ato të shqiptarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›