“Nuk u dorëzuan sepse do t’i vrisnin”, avokati i Erzen Ukës: Policia të japë llogari si u plagos

Julian Cumraku dhe Erzen Uka, të arrestuar mbrëmjen e së hënës në Fushë Arrëz, janë lënë në qeli nga Gjykata e Shkodrës.
Ndërkohë, në një deklaratë për mediat pas seancës, avokati mbrojtës i Erzen Ukës është shprehur se ndalimi është i paligjshëm pasi ai ndodhej rastësisht në atë shtëpi dhe nuk dinte asgjë për armët.
“Ndaj klientit tim nuk ka akuzë për terrorizëm. Është ndalim i paligjshem. Ata akuzohen vetëm për armëmbajtje pa leje. Klienti im ndodhej rastësisht në shtëpinë e Cumrakut pasi janë shokë. Nuk dinte gjë për armët. Policia e shtetit i ka qëlluar. Duhet të japin llogari policia si u plagos. Nuk u dorëzuan sepse do t’i vrisnin”, u shpreh ai.
Uka dhe Cumraku detyruan forcat RENEA ti mbanin të rrethuar për rreth 12 orë në një banesë në Orosh të Pukës, derisa u vetëdorëzuan.
Erzen Uka, që njihej edhe me emrin Hamza, ka qenë komando në Afganistan dhe prej nga aty, u kthye i radikalizuar dhe është dënuar me tre vite burg në vitin 2020. Madje, ai në sallën e gjyqit kërcënoi gjyqtarin dhe prokurorin e Krimeve të Rënda Eugen Beçi.
Ndërsa Cumraku ka precedentë të mëparshëm penalë për kanosje dhe vjedhje.