E Martë, 3 Nëntor 2026

Numri 5 edhe në atlete, Rama ndan videon pak para çeljes së fushatës: Fillon maratona

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Partia Socialiste hap sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”.

Kryeministri Edi Rama, ka ndarë në rrjetet sociale, momentet e përgatitjes ku shfaqet duke mbathur një palë atlete të personalizuara me numrin 5 në to, që simbolizon edhe numrin e Partisë Socialiste në fletën e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Dhe për pak shihemi tek Skënderbeu! Për hajër!”, shkruan Rama, ndërsa thotë se është gati për të nisur “maratonën”. “Vetëm numrin 5”, thekson Kryeministri.

Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama është shprehur se hapja e fushatës më 12 prill në orën 12:00 do të ketë si simbolikë 12 yjet në flamurin e Bashkimit Europian, kryefjalë e platformës elektorale.

Kreu i PS-së hapi një ditë më parë siparin e fushatës zgjedhore me eventin “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, me praninë e grave dhe vajzave socialiste të Forumit të Gruas në Tiranë, takim që u zhvillua paralelisht në të dymbëdhjetë qarqet e vendit.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›