E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nxënësit e “Musine Kokalari” me godinë të re, Veliaj: Vijon puna për ndërtimin e shkollave të reja

Shkolla “Musine Kokalari” në Kombinat do të presë nxënësit e sistemit 9-vjeçar me kushte më të mira dhe hapësira më të mëdha.

Përveç kapacitetit, i cili do të rritet me mbi 50% të fëmijëve që mësojnë në këtë shkollë, godina e re do të ofrojë edhe klasa më të mëdha, por edhe laboratorë e ambiente sportive të reja.

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj pa sot nga afër ecurinë e punimeve, ndërsa tha se kjo nuk do te jete e vetmja shkollë që do t’i shtohet Tiranës.

“Për të gjithë vogëlushët e “Musine Kokalarit”, jo vetëm do të kthehen në një shkollë më të mirë, por edhe në një shkollë më të madhe, në një shkollë që rritet me 50% të sipërfaqes dhe potencialisht mund të rritet edhe me 50% të nxënësve, sidomos kur të mbarojë Lagjja e re në Kombinat, edhe prej faktit se zhvillimi natyral i Tiranës po shkon në segmente si rruga “Dritan Hoxha”, “Rruga e Elbasanit”, dhe për sa kohë që Unaza e pestë tani është kantieri më i madh i ndërtimit në Tiranë, gjasat janë që kemi marrë vendimin e duhur,” deklaroi Veliaj. 

Veliaj tha se paralelisht po ecet me transferimin e Terminalit Lindor te rrethrrotullimi i Lundrës. Së shpejti do të nisë puna edhe tek “Kthesa e Kamzës” për Terminalin Perëndimor. Po ashtu do të fillojë edhe ndërtimi i Kampusit Universitar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›