Nxënësit e shkollave shkëlqejnë me performancë festive për festat kombëtare

TIRANË, 29 nëntor /ATSH/ Nxënësit e Dibrës sollën një performancë të mrekullueshme me rastin e festave kombëtare, duke krijuar një kolazh emocionesh, traditash dhe arti që ngrohu publikun.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro vlerësoi talentin dhe përkushtimin e tyre, duke e cilësuar aktivitetin si një dëshmi të gjallë të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Përmes programit “Art dhe Zeje”, fëmijët rikrijuan motive tradicionale, veshje popullore dhe simbole kombëtare, duke i dhënë jetë ritmeve dhe ngjyrave që na identifikojnë si popull.
Performanca u shoqërua me emocion dhe kreativitet, duke treguar se kultura dhe tradita shqiptare vazhdojnë të rriten çdo ditë në duart e brezit të ri.
Vlora i bashkohet festimeve të Nëntorit me performancat e nxënësve, Kumbaro: Art që bashkon komunitetin
Edhe Vlora iu bashkua festimeve të Nëntorit me një atmosferë të gjallë e plot emocione, falë performancave të nxënësve të shkollave të qytetit.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ndau pamje nga aktiviteti, duke theksuar se fëmijët sollën një tjetër shembull të bukur të programit “Art dhe Zeje”, i cili bashkon komunitetin dhe mbush zemrat me krenari.
“Nuk kishte si t’i mungonte Vlora festimeve të Nëntorit”, shkroi Kumbaro, duke vlerësuar kreativitetin dhe energjinë e nxënësve që interpretuan motive tradicionale, këngë dhe elemente të kulturës shqiptare.
“Nxënësit e shkollave të Vlorës sollën atmosferën e bukur të festave kombëtare, një tjetër shembull i bukur i ‘Art dhe Zeje’ që bashkon komunitetin dhe mbush zemrat me krenari”, shtoi Kumbaro.
Berati i një mbi një dritareve feston me art dhe traditë
Berati i një mbi një dritareve festoi Nëntorin ashtu siç di më mirë: me art, zëra të rinj dhe me jehonën e traditës.
Nxënësit e shkollave të qytetit sollën performanca plot dashuri për kulturën tonë përmes programit “Art dhe Zeje”.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, publikoi momente nga aktivitetet, duke ndarë me ndjekësit bukurinë e festimeve dhe energjinë e të rinjve që rikrijuan trashëgiminë kulturore në forma bashkëkohore.
/gj.m/r.e/